Kosovë-Serbi/ Borrell për dialogun në Bruksel: Sot flitet për 2 tema shumë të ndjeshme

07/09/2020 13:00

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell para takimit mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se pozicionet e tyre ndryshojnë, por sot kthehen në Bruksel për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të punuar drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre, duke trajtuar të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Borrell tha se negociatorët punuan për t’i çuar deri në fund temat që diskutuan në takimin tonë të fundit, çështjen e personave të zhdukur dhe të zhvendosur dhe bashkëpunimin ekonomik.

“Palët u takuan katër herë këtu në Bruksel me takimin e fundit që u mbajt dje dhe të shtunën. Këto negociata siç mund ta kuptoni nuk janë gjithmonë të lehta, prandaj jam i lumtur të shoh përkushtimin dhe respektin nga të dy palët. Unë e mirëpres që ata e konfirmuan këtë bashkërisht edhe përpara takimit të sotëm. Në deklaratën e tyre të përbashkët të dy kujtojnë se ata i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkim Evropian dhe do të vazhdojnë të punojnë me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ata gjithashtu u zotuan të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të garantuar përafrim të mëtejshëm drejt BE-së në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse. Natyrisht, pozicionet e tyre ndryshojnë, por ata kthehen përsëri këtu për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të punuar drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre, duke trajtuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. Sot ata do të flasin për dy tema shtesë shumë të rëndësishme: rregullimi i komunitetit jo-shumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare/pronave”.

Sipas tij, të dy temat janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për marrëdhëniet e ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të popujve të tyre.

Top Channel