“Këtë sesion Kushtetuesja do bëhet funksionale”, Ruçi: Nuk ishin hile e shumicës e as prishje e rregullave…

07/09/2020 17:38

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi në seancën e parë plenare për këtë sesion të ri parlamentar i është rikthyer edhe një herë ndryshimeve kushtetuese, të votuara në 30 korrik.

Ruçi deklaroi se ndryshimet kushtetuese që janë arritur nuk ishin hile e shumicës. Ai shtoi se Kushtetuesja do të bëhet funksionale këtë sesion.

Gramoz Ruci: Parashikimi në Kodin Zgjedhor i pikave të Marrëveshjes së 5 qershorit garantoi gjithëpërfshirjen dhe moralitetin e reformës zgjedhore.

Ndërsa parashikimi në Kod i ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga opozita parlamentare dhe të votuara nga Kuvendi, pra miratimi i ligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””, në seancën plenare të datës 30 korrik 2020, garantoi legjitimitetin dhe kushtetueshmërinë e reformës zgjedhore.

As gjithëpërfshirja e moraliteti dhe as kushtetueshmëria e legjitimiteti nuk mund të qëndrojnë pa njeri-tjetrin.
Prandaj dëshiroj edhe njëherë të bëj të qartë se ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor nuk ishin as një tirani apo hile e shumicës,dhe as prishje e rregullave të lojës, por jetërsim i forcës së parlamentarizmit, i vullnetit të pakicës parlamentare e,ç’është më e rëndësishmja, i vullnetit të shumicës së shqiptarëve.

Këto ndryshime nuk ishin një vetëtimë në qiell të pastër, por ishin sinjalizuar nga opozita parlamentare në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Këtë vullnet politik konsistent ajo e solli në Kuvend, duke depozituar më 15 qershor nismën ligjore për ndryshime kushtetuese.

Kuvendi u hapi rrugën këtyre ndryshimeve, i bindur se ato e bëjnë garën elektorale më konkurruese dhe qytetarët më përcaktues në zgjedhjen e grave dhe burrave që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë.

Kuvendi ndan të njëjtin mendim me qytetarët shqiptarë se këto ndryshime janë në të mirë të vendit.
Kriteri për refuzimin e një ndryshimi ligjor nuk është fakti se ky ndryshim nuk është i përsosur, por nëse ndryshimi përmban më shumë të mira sesa mangësi.

Në këtë botë, të nderuar kolegë, sidomos në jetën politike, ka shumë pak gjëra që janë tërësisht të mira apo tërësisht të këqija.

Prandaj unë ndaj të njëjtën bindje me shumicën e deputetëve të Kuvendit dhe të qytetarëve se këto ndryshime avancojnë demokracinë brenda partive dhe rrisin si përgjegjësinë e tyre dhe të qytetarëve në zgjedhjen e degës legjislative të qeverisjes.

Këto ndryshime krijojnë një kuadër ligjor zgjedhor, në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare, ku zgjedhësi voton jo vetëm për subjektin zgjedhor, por edhe për kandidatin e parapëlqyer prej tij.

Me këto ndryshime, plotësuam kuadrin ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mundësiuam një garë të barabartë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA