Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka nisur sot mbledhjen e nënshkrimeve për të ftuar një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për takimet e delegacionit të Kosovës në Uashington dhe marrëveshjet e nënshkruara.
Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka konfirmuar se tashmë kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë jashtëzakonshme dhe siç tha ai, presin që kësaj nisme t’i japin mbështetje edhe deputetë e partive tjera parlamentare.
Ai tha se në seancën e jashtëzakonshme duhet të raportojë kryeministri Avdullah Hoti si udhëheqës i delegacionit dhe duhet të japë informacione të sakta për atë që ka diskutuar dhe përgjegjësitë që i ka marrë në emër të shtetit të Kosovës përmes dokumenteve të nënshkruara.
PDK sot gjatë ditës ka mbajtur mbledhje të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar ku kanë diskutuar për dialogun e zhvilluar në Uashington e Bruksel. Sipas komunikatës së lëshuar për media, Partia Demokratike e Kosovës i konsideron zhgënjyese zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi.
“Pritjet e mëdha qytetare dhe të PDK-së për një marrëveshje finale që garanton njohjen e ndërsjellë, janë kthyer në një proces pa afat dhe me kompromise nga ana e delegacionit shtetëror të Kosovës”.
Në takimin e përbashkët të kryesisë dhe grupit parlamentar të PDK-së, është konstatuar e rrezikshme rrëshqitja e delegacionit shtetëror nga bisedimet për marrëveshje finale e të obligueshme ligjore, në biseda për tema me karakter teknik.
“PDK kërkon nga delegacioni shtetëror i Kosovës që të respektohet Kushtetuta e vendit. Bisedimet për territore dhe pasurinë kombëtare të Kosovës, janë anti-kushtetuese dhe kundër interesave strategjike të vendit. PDK e konsideron të pa dobishëm procesin e mini-Shengenit të pranuar nga delegacioni shtetëror i Kosovës. PDK është për Shengen, por, jo për mini-Shengen”, thuhet në komunikatë.
Top Channel