Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka sqaruar situatën e krijuar rreth Liqenit të Ujmanit, i cili u përfshi në marrëveshjen me Serbinë.

Ai thotë se formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më datë 4 shtator, duke pranuar se partneri i tij, Ramush Haradinaj ka shprehur shqetësime përkitazi me këtë aset.

Madje thotë se Haradinaj ofroi edhe dorëheqjen e dy ministrave të tij nga kabineti qeveritar.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa thotë se raportimet në media përkitazi Ujmanit nuk janë të vërteta, duke paraqitur njërin partner që fali Ujmanin e tjetri që shpëtoi.

Ky është statusi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë

E vërteta për marrëveshjen në Ëashington, sa i përket Liqenit të Ujmanit, nuk është kjo që po raportohet nga disa media.

Formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më dt 4 shtator. Më dt 3 shtator, në mbrëmje, nga Kryeministri Hoti jam njoftuar për harmonizimin e formulimit, i cili është nënshkruar ditën e nesërme ( më dt. 4 shtator).

Me z. Haradinaj kemi komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi vazhduar të komunikojme edhe pasdite, me kohen tone lokale.

Në bisedë me mua, z. Haradinaj ka shprehur kërkesën që teksti (ky që është nënshkruar e jo ndonjë tekst tjeter) të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë por vetem me SHBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat.

Jam informuar nga Kryeministri, pasi ia kam prezantuar këto shqetësime, se pala amerikane nuk pajtohet të bëhen ndryshime të marrëveshjes dhe se mbetet ose të nënshkruhet marrëveshja ashtu siç është dakorduar ditën e 3 shtatorit ose të mos nënshkruhet.

Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikan por se edhe une edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të.

Punët e qeverisë kërkojnë besim dhe bashkëpunim. I tillë është edhe dialogu. Kryeministrin dhe qeverinë e kemi zgjedhur dhe i kemi dhënë besimin si partner të koalicionit, prandaj vetëm mbi këtë bazë mund të funksionojë qeveria dhe ta bëjë punën e saj.

Është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin ndërkaq tjetri e shpëtoi.

Top Channel