Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin.
Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.
Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Vijon nga numri i kaluar
Biseda në Spaç me Rajmond Sejkon, i fundit i Sejkatëve
U njoha me Rajmondin aty nga mesi i vitit 1976, pasi ky kishte kohë që kishte ardhur në burgun e Spaçit. Ai kishte më tepër se dy muaj, por ishte në grupin tjetër të zonës së II-të, kurse unë në grupin e zonës së III-të, kështu që nuk mund të shiheshim. Një ditë të dielë, isha ulur në stol, në oborrin e burgut dhe po rrija. Aty mu afrua një djalë i gjatë por pak i krrusur. Ai ishte fytyrë mprehtë, me një hundë të gjatë.
-“Si je Kaso”, më tha, dhe më zgjati dorën për t’u takuar.
-“Të faleminderit, ju si jeni”, i’a ktheva dhe unë duke i zgjatur dorën.
-“Më njeh apo jo”, më tha duke më buzëqeshur.
-“Me thënë të drejtën të kam parë, por se cili je unë nuk e di. Unë kam qëndruar indiferent, dhe nuk ju jepja ndonjë rëndësi njerëzve. Ndoshta kjo është një e metë, por këtë mësim e kam marrë nga praktika e hidhur e burgut. Sepse kam humbur besimin tek njerëzit”, i’a ktheva.
-“Ke të drejtë”, më tha Mondi.
-“Me kë kam nderin të flas”, e pyeta.
-“Unë jam djali i Teme Sejkos”, më tha dhe uli kokën.
Nuk u besova veshëve, dhe për pak ngela i habitur, duke e parë me vëmëndje.
-“Kurajo mos u mërzit’, i thashë, ‘nuk mjaftoi gjaku i babait tënd, që të ngopte egërsinë e bishës së Tiranës, por duheshe edhe ti”, i thashë. Duke e ngushëlluar, i thashë se nuk ishte vetëm ai fatkeq në këtë botë.
-“Jo Kaso, çka thënë Zoti, do të bëhet”, tha ai.
-“Ku banon familja jote, Mondi”, e pyeta sepse nuk dija gjë për ta. Me këtë pyetje e pashë që e vrava, sepse ishte një nga pyetjet më të vështira të jetës së tij! Në sytë e tij rrëshkitën lotët. Pas kësaj ai psherëtiu, dhe pas psherëtimës, belbëzoi. -“Tani Kaso, unë s’kam më familje, kam mbetur fillikat i vetëm në këtë botë”, m’u përgjigj duke u munduar të përmbante veten.
E pashë që gabova duke i lënduar plagët e zemërës, por tani ishte vonë. Përpara meje qëndronte një personazh i një tragjedie të madhe familjare. Ja ç’më tregonte në një ditë të tillë Mondi, -“Pasi u pushkatua babai ynë Kaso, neve na internuan në Berat. Bëheshim tre vetë në atë dhomë të ndyrë, mamaja, unë, dhe vëllai i vogël, Sokoli. Ne ishim të vegjël, mamasë nuk i jepnin punë, ndërsa ne shumë net, flinim pa ngrënë. Mamaja rrinte edhe ditë të tëra pa ngrënë, po ne nuk e kuptonim sepse ishim të vegjël.
Ata donin që ta gjunjëzonin atë për ta bërë servile dhe spiune, dhe ndoshta t’u shkonte pas qëllimeve të tyre. Kur e panë që po vdisnim urie, asaj i dhanë një punë të rëndomtë, që të bënte llaç dhe tulla. Kjo punë ishte e rëndë për mamanë që nuk kishte bërë ndonjëherë punë fizike. Ndërsa neve, na bëhej një luftë e ashpër klasore. Ne nuk luanim në rrugë, sepse i kishin mësuar të vegjëlit e lagjes, që të na ngacmonin duke na thënë: “djemtë e armikut të popullit”.
Unë prekesha dhe kacafytesha me ta, por ata ishin shumë dhe na godisnin. Ne ktheheshim ashtu të rreckosur dhe qanim, ndërsa mamaja na përkëdhelte dhe na këshillonte që ne të mos loznim në rrugë. Një jetë e tillë me vuajtje vazhdoi derisa u rritëm ne. Kur dolëm në punë, unë dhe Sokoli e ndriçuam jetën pak. Jetonim më mirë dhe hanim më mirë. Unë mbarova ushtrinë, dhe po atë vit do shkonte ushtar Sokoli. Por në vitin 1974, Dega e Brëndshme e Beratit, e arretsoi Sokolin bashkë me dy shokët e tij.
I akuzonin sikur donin të digjnin Kombinatin e tekstileve të Beratit. Komplot i kurdisur shumë bukur. Për dhjetë muaj me rradhë, i torutruan që të pranonte akuzën, dy shokët u thyen dhe e pranuan atë. Kurse Sokoli jo. I nxorrën në gjyq. Sokoli, foli dhe u tha shokëve që t’a hidhnin poshtë atë akuzë. Ai dëshmonte para një gjyqi të poshtër të Sigurimit, dhe torturat që u ishin bërë, e bindën popullin se ai, ishte i pafajshëm.
Unë me mamanë, kishim zënë vënd në fund të sallës së gjyqit dhe po qanim që të dy. Sokoli ishte katandisur si mos më keq pas torturave, por atij s’i bënte syri tërr përpara xhelatëve. Gjyqi vazhdoi më shumë se pesë seanca. Në seancën e fundit, Prokurori dha pretencën dhe njoftoi dënimet e të akuzuarve.
Emri i parë ishte: Sokol Sejko, “dënohet me vdekje”! Këto fjalë ranë si predha mbi mua dhe mbi mamanë. Asaj i ra të fikët, ndërsa unë shpërtheva në ngashërim. Për këtë arsye nuk munda ta ndihmoja nënën, pasi çdo gjë m’u errësua përreth. As nuk dëgjoja dhe as nuk shikoja. As nuk mora vesh sesa i dënuan shokët e tij.
Pasi mbaroi pretenca, trupi gjykues kërkoi nga Sokoli të dëgjonte fjalën e tij të fundit. Ai i tha këto fjalë: “Çfarë të kërkoj nga ju, kur ju më merrni, dhe atë që ma ka dhënë tjetër kush”! Trupi gjykues u tërhoq që të merrte vendimin. Ato minuta neve na u dukën si muaj, ndërsa mamaja s’po e merrte dot veten, sepse u shkri në lot.
Mua më dridhej gjithë trupi dhe prisja me ankth vendimin e trupit gjykues. Ai filloi të lexojë vendimin: “Sokol Sejko, dënohej me vdekje”, dhe dy shokët e tij, me nga 25 vjet burg. Vëllai qëndroi krenar, ai nuk e dha veten përpara xhelatëve të tij, edhe pse na shihte neve të dyve që po qanim. Seanca u mbyll dhe të dënuarve i’u dha e drejta që të apelonin vendimin në Gjykatën e Lartë brënda tre ditëve.
Policët i rrëmbyen ata dhe i futën nëpër makina. Ata u zhdukën në një kthesë në drejtim të Degës. Vëllai kishte më tepër se 40 ditë që priste vendimin nga Gjykata e Lartë, i lidhur me këmbë e duar me nga 80 kg. hekur, për të mos lëvizur nga vëndi. Po afronte Viti i Ri 1975, dhe mamaja shkoi në Pazar për të blerë një pulë. Mori dhe tre kg. verë, dhe kur u kthye në shtëpi, ishte e pikëlluar sa s’thuhet.
“Do t’ja përgatis Sokolit këtë pulë’, më tha, ‘dhe do t’i çoj dhe verën”. “Nuk e lejojnë një gjë të këtillë’, i thashë mamit, ‘mishin mund ta pranojnë”.
“Do u lutem”, më tha ajo që ishte katandisur sa një 5 lekësh. “Bëj si të duash” i thashë. Data e Vitit të Ri u gëdhi. Ishte ftohtë, qielli ishte i vrenjtur, por shi nuk binte. Bota atë ditë gëzonte, kurse ne qanim. Mami mblodhi pulën e pjekur me një gazetë, i zbrazi shishet në një bidon plastik, dhe u nis për te birucat e Degës.
U paraqit tek gardiani i burgut, dhe i tha se i kishte sjellë diçka djalit për të ngrënë. Përmes lotëve dhe ngashërimave, i’u lut ta shihte pak të birin, këtë ditë të shënuar. Gardiani u gjënd ngushtë përpara dhimbjes së kësaj nëne, dhe i tha se ishte e ndaluar një gjë e tillë. Si ushqimi, ashtu dhe vera. Por ai për të mos e vrarë më tej mamanë shpirtërisht, i mori ato, dhe I’a çoi Sokolit.
“Të faleminderit shumë”, i tha ajo. “Le ta pijë biri i një nëne, këtë, sepse ky Vit i Ri, ishte i fundit për të”, tha mami duke u larguar nga porta e burgut. 15 ditë më vonë, Prokuroria, më njoftoi se vendimi u zbatua para se të vinte Viti i Ri. Varri nuk i dihej! Oh sa e tmerrshme, dhe sa e llahtarshme ka qënë ajo ditë! Mami kishte rënë përmbys dhe gjithë ditën po qante. Ajo derdhi lotë pa fund, ashtu si çdo nënë do të bënte.
Asnjë njeri s’më erdhi për ngushëllim. Mamaja u sëmur nga të qarët dhe unë ndejta dy ditë në shtëpi për ta qetësuar dhe për t’i bërë hysmet, pasi ajo as hante dhe as pinte! Unë u detyrova të shkoja në punë ditën tjetër dhe mamaja mbeti vetëm në shtëpi. Kur u ktheva nga puna pasdite, pashë një turmë njerëzish që po rrinin para pallatit tonë, ku banoja unë me nënën. Një kufomë pa jetë e bërë copë, po dergjej në asfalt dhe unë fillimisht nuk mund ata njihja se kush ishte ajo fatkeqe!
Ndërkaq, vështrimi i njerëzve u drejtua nga unë. E kuptova menjëherë se diçka e keqe do t’i kishte ndodhur mamasë. E hapa turmën dhe u afrova te kufoma, ku ç’të shihja…?! Mamaja ime e bërë copë! Ulërita me kujë me gjithë fuqinë e shpirtit dhe u sula mbi kufomën e mamasë, e tunda, e fërkova, por ajo s’lëvizte…?!
E mora para duarsh, mamanë e pajetë dhe e ngjita në dhomë duke e shtrirë me kujdes në krevatin e saj, si për të mos i lënduar plagët që i kullonin ende gjak! Disa shokë më kishin ardhur nga mbrapa dhe po rrinin në fund të dhomës. Ndërkohë unë e kisha humbur fare dhe nuk dija ç’të bëja. Isha bërë si i marrë dhe ashtu dola në ballkonin e pallatit, andej nga ku ishte hedhur nëna, që të hidhesha edhe unë, por shokët më rrëmbyen nga krahët duke më mbajtur me forcë.
Shava regjimin e Enver Hoxhës më tërë forcën e zërit që kisha. Pas pak minutash, tek po qaja mamin, aty mbërriti policia dhe më arrestuan menjëherë e më çuan në Degën e Punëve të Brendshme duke më mbyllur në birucë.
Nuk morra vesh më se çfar u bë me kufomën e mamasë, e cila ishte hedhur nga kati i pestë i pallatit ku banonim. Mua më dënuan tetë vjet burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”, pse shava Enver Hoxhën dhe tani jam këtu me ty”, e mbylli tregimin e tij Rajmond Sejko dhe nuk vazhdoi më, pasi tellalli i burgut na bëri thirrje për apelin e mbrëmjes, pasi ora po shkonte 18.00 U ndava me Mondin për ta vazhduar tjetër herë atë histori rrënqethëse.
Pas arrestimit të shokëve tanë, gjendja në burg ishte tepër e acaruar
Pas arrestimit të shokëve tanë gjëndja në burg ishte tepër e acaruar. Në ankth të burgosurit prisnin se kush e kishte rradhën. Rajmondi, unë, Nazmi Veseli, Xhelal Çami, kishim bërë më shumë se gjysmën e dënimit. Familjet tona prisnin që ne të liroheshim.
Gjëndja ime shëndetësore sa vinte dhe keqësohej gjithnjë e më shumë. Unë kurrë nuk i shkruaja nanës për këtë, në ato pak letra që i dërgoja, për të mos e mërzitur më tepër. Nëna ime ishte analfabete dhe nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte. Ajo priste të rriteshin Luljeta dhe Nderimja. Mejdos, gruas sime i kisha thënë se ishte e lirë nga unë dhe të shikonte jetën e saj.
I isha lutur shumë herë që t’i dërgonte ato dy vajza në Jetimore, për një jetë më të mire, të atyre dy fatëkeqëve. Mejdua ja kushtoi jetën atyre dy vajzave për t’i rritur, duke mos i’u nënshtruar presioneve të Sigurimit dhe ajo nuk u tremb. Ajo bashkë me burrin e motrës sime, (Dilos) Esat Mullai, erdhi në Spaç për të më takuar. Unë përsëri i thashë se nuk ishte vonë që të më braktiste mua. Por ajo përsëri ngulmoi duke thënë: “Jo, ky ishte fati im dhe mbaroi kjo punë. Mos e diskuto më këtë muhabet”. Pas këtij takimi i shkrova dhe një letër për ta falenderuar më tepër.
Letra që i shkrova, bashkëshortes, Mejdos, nga Spaçi!
Spaç, 15 korrik 1979
E dashur Mejdo
Mos më vë re pse të shkruaj rrallë, jo se ju kam harruar, por nuk dua që t’ju lëndoj.
Mjerisht për mua që nuk gjej dot fjalë, të shperh falenderimet më të mira, për kujdesin që tregove kur isha i sëmurë në Spital.
E dashur Mejdo, me dëshirën tënde, me vullnetin tënd dhe me bujarinë tënde, u lidhe pas një njeriu të falimentuar. Pas një njeriu që i kanë vënë emër të keq, që nuk i ka mbetur më në këtë botë asnjë mik.
Ti vetë dhe të afërmit e t’u kanë vuajtur aq shumë nga shkaku im dhe prandaj, nuk ke se si ta harrosh shkaktarin e pafalshëm të të gjitha këtyre rreziqeve dhe fatkeqësive që të ranë në kokë. Ti nuk ke se si ta harrosh rolin që kam luajtur unë në këtë mes.
Ta dish se sa mirënjohës, sa shumë mirënjohës që jam dhe sa keq më vjen për ju, që ju ndodhi kaq keq me mua!
Ju betohem e dashur Mejdo, se nuk kam menduar keq për ju, kurrën e kurrës, se për mua ju keni qenë kurdoherë, kujtimi më i ndritur, më i kulluar dhe më i bukur i fëmijrisë dhe rinisë time të trishutuar.
Kam aq arsye dhe gjykim të vlersoj, të gjitha këto.
Parndaj më lejo Mejdo, të të dërgoj, falenderimet dhe përshëndetjet e mija, më të mira dhe më të ngrohta të zëmrës sime, duke të uruar shëndet dhe të jesh e fortë.
Rreshtat e fundit të letrës po i mbush me të fala për nënon time të dashur dhe i uroj shëndet.
Përqafime dhe i puth nga larg, Lulen dhe Nderimen.
Dërgoj të fala me mall, për motrat, Dilo, Vito e Bardha.
I kujtoj me mall dhe u uroj shëndet familjarisht.
Mos harro, pa u dërguar të fala nga ana ime, prindërve dhe vëllezërve të t’u.
Të fala për të gjithë kush pyet.
Ju përqafoj me mall,Kasëmi
Mbetem me shpresë se do më dërgosh letër./Memorie.al
Top Channel