​Osmani: Vuçiç ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit

06/09/2020 21:45

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç se Turqia duhet të bëjë presion ndaj Kosovës, në mënyrë që kjo e fundit të mos e hapë ambasadën e saj në Jerusalem, pas vendimit për njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Osmani në një postim në Twitter ka akuzuar Vuçiç se iu deshën pak më shumë se 24 orë për ta shkelur marrëveshjen për ndaljen e fushatës për çnjohje.

“Vuçiçit iu deshën pak më shumë se 24 orë për të shkelur pikën 15 të angazhimit që ai nënshkroi në D.C., e cila u kërkon atyre të ndërpresin fushatën e mosnjohjes dhe të përmbahen nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare nga të tjerët që të mos e njohin Kosovën. Kaq tipike për Serbinë”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, Vuçiç në një konferencë për media pas takimit në Bruksel ka thënë se “të shohim se çfarë do t’i thotë Erdogani Hashim Thaçit dhe Avdullah Hotit”.

“Shumë mirë nëse Kosova e pranon Izraelin, por së pari Izraeli duhet ta pranojë Kosovën, e atëherë Kosova ta bëjë punën e saj. Ta shohim se çfarë do t’i thotë Erdogani Hashim Thaçit e Avdullah Hotit”, ka thënë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA