Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë në një intervistë për KosovaPress se përkundër që ka një rënie të lehtë të rasteve me COVID-19, gjendja përsëri mbetet e rënduar.
Krasniqi thotë se janë duke bërë përgatitjet edhe për valën e dytë të përhapjes së pandemisë e cila po pritet të ndodh gjatë vjeshtës dhe dimrit.
“Edhe pse kemi një trend të lehtë të uljes së rasteve, megjithatë situata paraqitet ende e rënduar, ende kemi numër të madh të pacientëve të shtrirë në spitalet tona dhe ende kemi numër të madh të vdekjeve të paraqitura nga COVID. Numri i rasteve prej mbi 100 në çdo ditë ende vazhdon të jetë i lartë dhe kjo normalisht që pastaj mund të reflektohet me kërkesa për shtrim në spitale”, theksoi ai.
Lidhur me parashikimet që gjatë vjeshtës dhe dimrit të ketë numër më të madh të pacientëve të prekur me koronavirus apo e njohur si vala e dytë, Krasniqi ka thënë se janë duke bërë përgatitjet e nevojshme.
Ai thotë se krahas kapaciteteve humane po synojnë që të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen pasi gjatë kësaj kohe kanë pasur telashe në këtë aspekt.
“Ne po e përcjellim me shqetësim situatën epidemiologjike edhe në vend edhe në shtetet përreth dhe parashikimet e mundshme për të pasur numër më të madh të pacientëve edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit, jemi duke i bërë përgatitjet e nevojshme në kuptim të asaj që të rrisim kapacitetet dhe të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen. Ju e dini se një nga sfidat kryesore gjatë kësaj kohe ishte pikërisht furnizimi me oksigjen të qëndrueshëm kemi bërë planet dhe janë hartuar projektet për zgjerimin dhe rritjen e numrit të shtretërve që do lidhen me sistemin e oksigjenit qendror. Po ashtu dhe kapacitetet me shtretër, Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria është duke punuar edhe në krijimin e kapaciteteve shtesë jo vetëm ato ekzistuese, dhe po ashtu e dini që edhe me resurse humane është janë duke ecur punët në drejtim të pranimit të 1 mijë mjekëve në specializim po ashtu edhe një numër të infermierëve me anë të projektit të huamarrjes nga Banka Botërore dhe së fundi do të procedojmë edhe ne si SHSKUK me punësimin e specialistëve që kanë kryer specializimin”, tha ai.
Krasniqi për KosovaPress ka thënë se meqenëse ka një rënie të lehtë të shifrave të personave të prekur me koronavirus janë duke planifikuar rikthimin e shumicës së shërbimeve spitalore që janë ndërprerë si pasojë e përhapjes së pandemisë.
Por ai shton se janë në pritje edhe të rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik se deri në çfarë niveli mund të kthehen këto shërbime.
“Jemi në përgatitje dhe jemi duke planifikuar që shpejt të rikthejmë shumicën e këtyre shërbimeve megjithatë gjatë kësaj kohë pjesa më e madhe e këtyre shërbimeve janë kryer në klinikat e QKUK-së në Gjinekologji, në Pediatri në Radiologji , në Neurologji të gjithë pacientët kanë marrë trajtim, Po ashtu edhe në Onkologji pacientët kanë marrë kimioterapinë pacientët që kanë qenë të prekur nga sëmundjet malinje ndërkohë që ambulancat specialistike nuk kanë funksionuar…. Ka 10 ditë që në Klinikën e Gjinekologjisë tani nuk kemi pacientë në repartin që patëm adaptuar për këtë qëllim, në Klinikën e Neurologjisë kemi një numër simbolik të pacientëve… Nëse vazhdon ky trend ne planin e kemi që vetëm Klinikën Infektive këtu në Prishtinë dhe të Pulmos të mbajmë për pacientët me COVID. Po ashtu edhe në spitalet regjionale janë udhëzuar që aty ku është e mundur të kufizohet numri i pacientëve vetëm në repartet Infektive dhe Pulmologjisë, ndërkohë që shërbimet të tjera të vazhdojnë. Megjithatë jemi në pritje të rekomandimeve nga MSH dhe IKSHPK deri në cilin nivel të kthehen shërbimet” , tha ai.
Përkundër që ka qenë mjaftë i madh numri i mjekëve të infermierëve të prekur nga koronavirusi, madje edhe shumë nga mjekët e kanë humbur edhe betejën me këtë virus, Valbon Krasniqi u.d. i drejtorit të SHSKUK-së, thotë se stafin mjekësor në përgjithësi është mirë i pajisur me pajisje dhe mjete mbrojtëse.
Top Channel