Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i një 43-vjeçareje për llogari të drejtësisë italiane, pasi akuzohet për terrorizëm.
Lubjana Gjeçaj ka qenë emigrante në Itali dhe ka dyshime se aty ka qenë pjesë e një grupi radikal. Është identifikuar nga policia italiane se ajo ka qenë pjesë e këtij grupi.
Ajo akuzohet si pjesë e grupit që rekrutonte luftëtarë për shtetin islamik të ISIS-it që u godit nga autoritetet italiane në korrik të vitit 2015 me Operacionin ‘Martesa’.
Pas shumë muajsh hetime në një operacion të gjerë të shtrirë në disa qytete në Itali dhe në Lushnjë të Shqipërisë, u arrestuan 10 persona, nga të cilët 4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez.
Shqiptarët pjesë e këtij grupi janë Baki Çoku, Dritan Gjeçaj, Aldo Kobuzi, Arta Kakabuni dhe Lubjana Gjeçaj, sipas autoriteteve italiane ky grup kryente martesa mes të rinjve dhe i dërgonte ata në Turqi, dhe më pas në Siri për të luftuar për Shteti Islamik.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
Falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe Interpol Tiranës me homologët në Itali, kapet në Tiranë dhe vihet në pranga një 43 vjeçare e dënuar për pjesëmarrje në organizatë me qëllime terroriste
Në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Itali, është marrë informacion në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasje të kërkuar, e dënuar për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 6 në DVP Tiranë, u lokalizua vendndodhja dhe u vu në pranga shtetasja:
Lubjana Gjeçaj, 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 4 shtator 2020.
Gjykata e Hetimeve Paraprake Milano, Itali, e ka dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale ”Organizatë me qëllime Terroriste”.
Arrestimi i kësaj shtetaseje u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Top Channel