Takimi me Metën për datën e zgjedhjeve, Idrizi: Shfrytëzova momentin për të ngritur shqetësimin për çështjen e detit

04/09/2020 10:45

Presidenti Meta këtë të premte ka nisur takimet me krerët e partive politike për sugjerime mbi datën e zgjedhjeve elektorale të vitit të ardhshëm.

Meta ka zhvilluar një takim me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ku ky i fundit mbajti edhe një deklaratë për mediat.

Sipas asaj që deklaroi Idrizi,  e ka shfrytëzuar takimin me presidentin Meta se i ka shprehur shqetësimin për çështjen e kufirit në detin Jon me Greqinë.

“I shpreha shqetësimin Presidentit për faktin që duhet të ketë vëmendjen qeveria shqiptare për zonat ekskluzive ekonomike, sepse në këtë marrëveshje dy ishujt kanë marrë të drejtë të zgjerohen me 12 milje, që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë zonën ekonomike që ne duhet të ndajmë me Greqinë dhe Italinë. Më vjen mirë që ditët e fundit kryeministri ka bërë një tërheqje dhe pasi u kërkoi njerëzve të lexojnë, e ka lexuar edhe vetë pikën 15 të Konventës. Më duhet të theksoj fort dhe të bëj të qartë për publikun se qeveritë shqiptare janë në sindromën e Shën Naumit dhe qeveria shqiptare nuk duhet të diskutojë më për kufijtë detarë e tokësorë me Greqinë.

Shqipëria ka lëshuar gati 30% të territorit të saj, e kam fjalën për Çamërinë. Ne nuk kemi çfarë bisedojmë me Greqinë për ujërat territorial, por vetëm për zonat ekonomike. Nëse Greqia do të hapë çështje të tilla, pa dyshim që ne do të kërkojmë Çamërinë. I bëra të qartë Presidentit që bisedimet mes dy vendeve duhet të fillojnë nga heqja e ligjit të luftës, të vazhdojnë me zgjidhjen e çështjes çame. PDIU i shprehu shqetësimet Presidentit që qeveria ka fshehur agjendën shqiptare në diskutimet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe ka avancuar me agjendën greke”, tha Idrizi.

 

 

Top Channel