Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë/ Pikat në dokument: Vendet duhet t’i bashkohen mini-Shengenit. Serbia të ndalojë fushatën e tërheqjes së njohjeve

04/09/2020 19:05

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Serbia dhe Kosova u pajtuan që të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike, duke e cilësuar këtë një kthesë të madhe pas më shumë se një dekade që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Ai tha gjatë ceremonisë së nënshkrimit në zyrën ovale se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar të vendosin marrëdhënieve diplomatike, ndërsa Serbia është zotuar ta lëvizë ambasadën e saj në Jerusalem.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh që duhet të çojë në njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se ka ende shumë dallime ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara.

Ndërkohë në marrëveshje thuhet se të dyja vendet duhet t’i bashkohen mini-Shengenit, ndërsa po ashtu thuhet se  Kosova është pajtuar që për një vit të shtyjë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Serbia do të bierë dakord për një moratorium një vjeçar ku të tërhiqet nga procesi i mosnjohjes së Kosovës dhe gjithashtu të ndalojë këtë fushatë ç’njohje dhe me shtetet e tjera, duke u kërkuar atyre tërheqjen e njohjes për Kosovën.

Më poshtë janë pikat e pë​rmbajtjes së​ marrë​veshjes së​ në​nshkruar nga pala kosovare.​

Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.
Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.
Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:
-Autostradën e paqes

-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare

-Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë

-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

-Projekte shtesë dypalëshe

-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.

Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.

Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.

Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të pëërdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.

Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.

Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me SHBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga SHBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.

Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.

Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.

Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.

Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.

Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2020/09/04/asnje-tradhti-burra-marreveshja-kosove-serbi-reagon-rama-keqardhje-qe-u-humb-kaq-kohe-per-tu-dakordesuar-me-shengenin-rajonal/

FOTO GALERI
2/3

Top Channel