Marrëveshja me Serbinë! Liqeni i Ujmanit, Haradinaj/ Po e futën në marrëveshje, “bie qeveria”

04/09/2020 16:20

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit.

Haradinaj pretendon se Ujmani është njëra nga pikat e marrëveshjes, dhe në qoftë se ujdia nënshkruat bashkë me Ujmanin në të, ai thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që është pjesë e koalicionit qeverisës – nuk do ta përkrahë.

“Ujmani është një liqen që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral Brenda Kosovës. Ne nuk e mendojmë se e ardhmja e tij duhet të jetë në një marrëveshje trepalëshe ku është edhe Serbia”.

Haradinaj tha për Radion Evropa e Lirë se  për heqjen e kësaj pike nga marrëveshja ka folur me të gjitha autoritetet pasi sipas tij, përfshirja e Ujmanit në marrëveshjen e paralajmëruar, “është e papranueshme”.

“Nuk e ka përkrahjen time dhe të Aleancës. Nuk e di si do të jetë fati i kësaj marrëveshjeje. Unë apeloj te kryeministri Hoti që të mos e nënshkruajë një marrëveshje ku Ujmani është çështje e çfarëdo marrëdhënieje trepalëshe e ku është edhe Serbia palë”, përsëriti.

Haradinaj e artikuloi hapur se  se nëse arrihet marrëveshja, që përmban edhe çështjen e Ujmanit, atëherë as e ardhmja e koalicionit qeverisës nuk është e sigurt.

“Kjo do të ketë ndikim të madh në të gjitha marrëdhëniet që kemi politike sepse AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje dhe në çfarëdo forme, që të ndihmojë në një marrëveshje ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ishte pohimi i fortë i tij.

Ndërkohë, në një postim në Facebook, Haradinaj shkroi:

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson fuqishëm në marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri ynë kryesor në arritjen e lirisë dhe shtetformim. Ne kemi punuar shumë që të arrihet një marrëveshje normalizimi mes shteteve, bashkëpunim ekonomik deri në njohjen reciproke. Fatkeqësisht situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin. Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën. Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje. AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës.

RH”

Top Channel