Bjellorusi-Shqipëri/ Kombinim Roshi-Bare, mesfushori “vulos” suksesin e kuqezinjve

04/09/2020 22:39

E nisim Ligën e kombeve si favoritë të grupit dhe e respektojmë këtë në fushë, që në ndeshjen e parë.

Shqipëria mori një fitore komode dhe me vlera në Minsk ndaj Bjellorusisë në debutimin e këtij edicion të nations league, dhe 3 pikët në favor të kuqezinjve me nga një gol për çdo pjesë në transfertën më të vështirë të parashikuar, e bëjnë më të lehtë fushatën në futbollin kontinental.

Pas plot 10 muajsh mungesë, me një formacion të improvizuar por sulmues, trajneri Edoardo Reja diktoi avantazhin dhe Cikalleshi e Manaj iu afruan në minutat e para. Sulmuesi kavajas përmirësoi shënjestrën brenda fraksionit të parë, kur me një goditje fluturimthi nga distanca befasoi portierin Gutor, madje e bëri këtë pa parë kuadratin fare, pas topit nga Hysaj.

Kuqezinjtë ishin superiorë edhe pas pushimit por u mungoi pasimi final, e për të dyfishuar iu desh pak fat. Keidi Bare arriti të tundë për herë të dytë rrjetën e bjellorusëve kur goditja e mesfushorit të Malaga u devijua nga mbrojtja, duke nxjerrë jashtë loje portierin Gutor. Shqipëria administroi avantazhin e pastër në pjesën e mbetur, e tani pret e qetë impenjimin në shtëpi. Armata e trajnerit reja rikthehet në Air Albania Stadium për tu përballur me Lituaninë, rivali tjetër i grupit në këtë edicion të Kupës së Kombeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA