FBI ka nisur hetimet mbi raportimet e dy pilotëve të linjave ajrore se kishin pikasur në ajër një njeri me komplet fluturimi në rreth 1000 metra lartësi pranë aeroportit të Los Angeles në SHBA.
Ende nuk janë dhënë shpjegime për ngjarjen misterioze që shokoi pilotët dhe kullën e kontrollit, edhe pse disa ekspertë shprehen skeptikë.
David Mayman, drejtues i kompanisë Jetpack Aviation, tha se mjeti mund të ketë qenë një dron megjithse dëshmitarët ishin të sigurtë që ngjante me një person.
Kompania e tij nga Los Angeles po punon së bashku me ushtrinë e SHBA për krijimin e një komplet personal fluturimi dhe mohoi se mund të ketë qenë prototipet e saj.
“Me teknologjinë që ekziston për momentin kjo ende nuk ka gjasa”, tha Mayman.
“Mua më pëlqejnë kur më surprizojnë por ende nuk ka arritur njeri të fluturojë nga toka në 1000 metra dhe të kthehet përsëri gjallë. Mjete të tilla e konsumojnë shpejt karburantin.
Në vitin 2019, Jetpack Aviation priste të kishte mjetin e saj ngritës individual për ushtrinë e SHBA por prezantimi është shtyrë prej problemeve teknike.
Mjetet e tyre mund të fluturohen nga një person ose në formë droni ndërsa një tjetër model përshkruhet si ‘motoçikleta e parë fluturuese’ me misionin ‘të shpëtojë jetë’.
Kompania beson se mjete të tilla mund të përdoren për të transportuar më shpejt mjekun te pacienti ose në spital, si dhe për të zhvendosur pajisje të cilat do të ishin në rrezik nëse transportoheshin me helikopter.
Top Channel