Shqipëri-Kosovë, hartohet marrëveshja për njohjen e viteve të punës për qytetarët e të dyja vendeve

02/09/2020 17:21

Shqipëria dhe Kosova po hartojnë marrëveshjen për njohjen e viteve të punës për qytetarët e të dy vendeve.

Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp të ministres së Ekonomisë dhe Financave të Shqipërisë, Anila Denaj dhe ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Skënder Raçica, pas një takimi të mbajtur në Tiranë, u bë e ditur se në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive do të nënshkruhet edhe marrëveshja.

Marrëveshja mes dy vendeve pritet të bëjë të mundur njohjen e viteve të punës për qytetarët e të dyja vendeve pavarësisht ku kanë kontribuar.

Po ashtu, palët po finalizojnë edhe një marrëveshje për krijimin e lehtësive për qytetarët për punësim.

“E informova homologun nga Kosova lidhur me politikat, lejet e qëndrimit e unifikimin e shumë procedurave në të ardhmen që do të nxisin mundësi më të mëdha të punësimit. Sot qytetarët e Kosovës mund të punësohen në Shqipëri me një vetëdeklarim. Shpresoj që kjo t’u mundësohet shumë shpejt edhe qytetarëve të Shqipërisë, në Kosovë“, tha ministrja Denaj.

Ministri Raçica vlerësoi si mjaft të rëndësishme krijimin e këtij kuadri ligjor.

“Kemi përafruar qëndrimet në arritjen e marrëveshjeve që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë, në të dy anët, në drejtim të punësimit e arsimit profesional. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në mbledhjen e dy qeverive do të krijojë një realitet të ri për qytetarët. Nuk do të kenë më pengesat që kanë patur deri tani nga përfitimi i shërbimit të punësimit dhe arsimit profesional”, tha Raçica.

Raportet mes dy vendeve, tha Raçica, po prekin dimensione të reja dhe ne duhet të angazhohemi edhe më tej për lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Nga ana tjetër ministrja Denaj u shpreh se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor brenda CEFTA-s, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria e Kosova, kanë rënë dakord për njohjen e arsimit profesional çka sjell heqjen e barrierave në punësimin e qytetarëve nga kompanitë./atsh/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA