Plani i guvernatores së Oregonit për rivendosjen e rendit kundërshtohet nga sherifët

02/09/2020 02:33

Sherifët e dy komunave në periferi të qytetit Portland të Oregonit hodhën poshtë prerazi të hënën planin e guvernatores së shtetit që zëvendës sherifët e këtyre komunave të angazhoheshin për të patrulluar qytetin që është përfshirë nga protesta të dhunshme dhe gjatë fundjavës regjistroinjë incident vdekjeprurës që la të vrarë e një përkrahës të Presidentit Trump.

Vendimi i tyre ngriti pikëpyetje për planin që njoftoi një ditë më parë Guvernatorja Kate Brown për të vendosur qetësinë në Portland duke mobilizuar forca policore nga komunat përreth dhe trupa të policisë shtetërore në një kohë kur trazirat në Portland kanë tërhequr vëmendje mbarëkombëtare. Zonja Brown, përfaqësuese e Partisë Demokrate, e njoftoi planin pasi 39-vjeçari Aaron Danielson u qëllua për vdekje të shtunën gjatë përleshjeve mes aktivistëve të lëvizjes Black Lives Matter që kërkojnë drejtësi racore dhe përkrahësve të Presidentit Trump që kishin ardhur të organizuar në një autokolonë kundërproteste në qytet.

Kundërshtimi i planit nga dy sherifët që janë zgjedhur si kandidatë të pavarur, ka shtuar paqartësinë për të ardhmen e Portlandit në një kohë që presidenti e ka bërë problemin e kaosit si dhe rivendosjen e rendit tema qendrore të fushatës së tij. Sherifi i komunës Klakamas, Craig Roberts tha se mbushja e qytetit me forca të rendit nuk do të funksionojë sepse prokurori i sapo-zgjedhur i qytetit ka liruar nga akuzat qindra protestues të arrestuar për akte jo-të dhunshme, të nivelit më të ulët. Zoti Roberts dhe sherifi i komunës Uashington, Pat Garrett thanë se vartësit e tyre kërcënohen me përgjegjësi të madhe ligjore dhe mund të paditen për veprime që kanë kryer jashtë juridiksionit të tyre.

“Po arrestohen të njëjtit shkelës të ligjit përditë, por më pas lirohen nga gjykata dhe nuk ngrihen akuza nga zyra e prokurorit. Në mbrëmje vazhdojnë të bëjnë të njëjtat akte dhe vënë në rrezik jetët e policëve dhe të gjithë komunitetit,” tha zoti Roberts. Shefi i stafit i guvernatores Brown, Charles Boyle, tha se sherifi Roberts ishte shprehur se zëvendësit e tij mund të ndihmonin duke iu përgjigjur telefonit kur thërrasin qytetarët me ankesa, që zakonisht bëhet nga policia shtetërore. Kjo do të lejojë dislokimin e forcave të policies shtetërore në Portland.

Zonja Brown deri tani nuk ka pranuar dërgimin e Gardës Kombëtare në Portland, por ka njoftuar një koalicion që pritet të formohet me agjenci të forcave të rendit. Në një deklaratë, ajo thotë se grupe të ekstremit të djathtë si “Lutja e Patriotit” kishin ardhur në Portland “për të hyrë në sherr” dhe u zotua të mos lejojë incidente të tjera të përgjakshme. “Duhet të bashkohemi të gjithë — zyrtarë të zgjedhur, udhëheqës të komunitetit, të gjithë ne – të ndalim ciklin e dhunës,” tha ajo. Disa udhëheqës të komunitetit afrikano-amerikan u shprehën të revoltuar nga propozimi për të shtuar praninë policore në rrugë. Policia e Portlandit është kritikuar se ka përdorur gazin lotësjellës dhe masa të tjera më agresive se ishte e nevojshme”.

“Nëse thjesht je fizikisht atje (në rrugët e Portlandit) shanset janë thuajse të garantuara që do të arrestohesh,” tha Shanice Clarke, protestuese aktive si dhe një ndër themelueset e grupit Lëvizja e Mijëvjeçarëve Afrikano-Amerikanë. Policia e Portlandit po ashtu u bë objekt kritikash të hënën se nuk kishte bërë sa duhet për të ndërhyrë mes palëve që po përlesheshin gjatë fundjavës dhe se e kishte lejuar situatën të dilte jashtë kontrollit. Shefi i Policisë Chuck Lovell u doli në mbrojtje policëve, duke thënë se përleshjet mes protestuesve dhe përkrahësve të presidentit ishin përhapur në disa rrugë të qytetit dhe se incidenti me armë zjarri ndodhi brenda pak sekondash.

“Megjithëse është e lehtë të fajësohen grupet paraushtarake dhe të ekstremit të djathtë, apo aktivistët anti-fashistë dhe të lëvizjes “Black Lives Matter”, përgjegjësia për mbrojtjen e komunitetit bie mbi qeverinë,” thotë Eric Ward, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Shtetet Perëndimore, e cila ndihmon komunitete periferike të organizojnë fushata për drejtësi sociale në pjesën perëndimore të SHBA.

“Në Portland, agjencitë e rendit në mënyrë të përsëritur kanë dështuar të ruajnë sigurinë në qytet,” thotë zoti Ward. Trupa të policisë shtetërore të Oregonit ishin mobilizuar për të mbështetur policinë e Portlandit të dielën në mbrëmje. Autoritetet arrestuan 29 vetë./VOA

Top Channel