Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka konfirmuar se do të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 5, 6 dhe 7 shtator.

Sipas tij, të hënën do të zhvillohet takimi në nivel të lartë, në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.

Ai ka thënë se liderët politikë të hënën do të priten nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i Posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak.

Ky zëdhënës i BE-së ka paralajmëruar se në takimin e së hënës, do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me “aranzhimet për komunitetet jo shumicë dhe çështjet e kërkesave financiare dhe të pronësisë nga ana palëve”.

Ai nuk ka dashur të tregojë hollësi rreth këtyre temave.

I pyetur se a do të diskutohet edhe për dëmet e luftës, një çështje që në opinion është përmendur shpesh nga ana e zyrtarëve të Kosovës, Peter Stano ka thënë se vet ideja e takimit është që të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes palëve.

Stano po ashtu ka refuzuar që të saktësojë se a kanë të drejtë apo jo palët në interpretimet e tyre për dialogun, me palën kosovare që thotë se është vetëm dialog politik që do të rezultojë me njohje, dhe atë të Serbisë se nuk diskutohet për njohjen.

“Ky është një dialog që do të rezultojë me një normalizim të raporteve mes palëve dhe që do të përmbyllej me një marrëveshje ligjërisht obliguese”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së, duke shtuar se interpretimet dhe qëndrimet shpesh të ndryshme të palëve janë pjesë përbërëse e këtij procesi.

“Ne jemi lehtësues e jo komentues të dialogut”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Burimet e BE-së kanë paralajmëruar se gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën, në Bruksel do të ketë takime edhe nga ana e ekspertëve, të cilët do të merren me çështjet e të zhvendosurve dhe bashkëpunimit ekonomik, tema këto të cilat ishin në rend ditë në dy takimet e fundit.

Qëllimi është që palët sa më shumë të afrohen për këto tema dhe, mundësisht edhe të bien dakord, thonë burimet e BE-së.

Takimet në Bruksel, këtë fundjavë dhe të hënën, vijnë menjëherë posa të kenë përfunduar takimet në Uashington, mes Kosovës dhe Serbisë, të thirrura dhe ndërmjetësuara nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Top Channel