Institucionet arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, të cilat veprojnë sipas sistemit të Serbisë, filluan të martën mësimin online, në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Arsimit të Serbisë.

Lubisha Karaxhiq, drejtor i Shkollës Fillore “Milladin Mitiq” në Llaple Sello, Komuna e Graçanicës, tha për Radion Evropa e Lirë se kthimi i nxënësve në bankat shkollore është shtyrë për afat të pacaktuar, për shkak të situatës epidemiologjike dhe bazuar në rekomandimin e Bordit të Shkollës nga Mitrovica e Veriut, që punon sipas sistemit të Republikës së Serbisë.

“Nxënësit do ta kenë për detyrim të kthehen në shkollë kur situata rreth epidemisë të qetësohet dhe kur të marrim një rekomandim të ri nga ministria [Qeveria e Serbisë]. Ne do të biem dakord vetëm me ta për praninë fizike të nxënësve në shkolla”, tha Karaxhiq.

Ministria e Arsimit e Kosovës e shtyu fillimin e vitit të ri shkollor deri më 14 shtator, në mënyrë që institucionet arsimore të përgatiten më mirë për kthimin e nxënësve në shkolla.

Nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji e Kosovës paralajmëruan se nëse deri atëherë shkollat nuk përgatiten dhe nuk marrin parasysh rekomandimet e autoriteteve përgjegjëse për ruajtjen e distancës, sigurimin e dezinfektuesve, etj., mësimi mund të shtyhet sërish.

Për shkak të koronavirusit, institucionet arsimore që funksionojnë sipas sistemit serb në Kosovë, në periudhën e mëparshme, janë obliguar të harmonizojnë punën e tyre me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, Karaxhiq pretendon se ata nuk janë të detyruar të konsultohen me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, por të punojnë ekskluzivisht në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Arsimit në Serbi.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, Xhavit Rexhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet arsimore në mjediset serbe po e shkelin vendimin e ministrisë kur bëhet fjalë për kalendarin shkollor.

Por, ai shtoi se vendimi për mësim online është i mirë, sepse i mbron nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

“Vendime të tilla të dyfishta nuk ndihmojnë në këtë situatë, sepse pandemia ekziston dhe transmetohet në mesin e qytetarëve të Kosovës. Të gjithë duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në këtë situatë”, tha Rexhaj.

Pas shfaqjes së rasteve të para të koronavirusit në mars, Qeveria e Kosovës ndërmori masa rigoroze për të parandaluar përhapjen e tij, përfshirë mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore.

Megjithatë, disa shkolla që mësojnë në gjuhën serbe nuk pranuan ta zbatojnë këtë vendim, duke thënë se ato i respektojnë vendimet e Qeverisë së Serbisë.

Atëbotë pastaj, edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, njoftoi se mësimi në shkollat në mjediset serbe në Kosovë do të ndërpritet.

Top Channel