Një libër transparent mbi Zonjën e Parë të SHBA Melania Trump zbulon detaje të pakëndshme mbi jetën brenda Shtëpisë së Bardhë, teksa burri i saj kërkon rizgjedhjen si president.
Në librin e publikuar sot “Melania dhe unë” autorja Stephanie Winston Wolkoff thotë se ka dëshmuar “gënjeshtrat” dhe “mashtrimin” gjatë miqësisë së saj të shkuar.
Vetë Shtëpia e Bardhë e ka denoncuar librin si një “shtrembërim të habitshëm të së vërtetës”.
Wolkoff, ish-organizatore eventesh për revistën Vogue, përshkruan gjithashtu tensionet e shumë-përfolura mes zonjës Trump dhe thjeshtrës së saj, bijës së presidentit Ivanka Trump, të cilën presidenti e thërret Trump “princeshë”.
Ajo shkruan se zonja Trump, preferon të përdorë simbolet ‘emoji’ në mesazhet e saj dhe sa herë është fjala për Ivankën dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner – i shoqëron me simbolin e “gjarprit”.
Autorja Wolkoff tha për rrjetin ABC News se po bashkëpunon me hetuesit mbi financimet e festës së inaugurimit të presidentit katër vjet më parë.
Miqësia e saj 15 vjeçare me zonjën Trump mori fund dy vjet më parë kur zonja e parë e “tradhtoi” duke refuzuar të mbronte publikisht atë dhe një ndihmëse të Shtëpisë së Bardhë, në pretendimet për keqmenaxhime financiare në planifikimin e ceremonisë së inaugurimit.
Autorja thotë se u ndje e goditur “me thikë pas shpine” nga dikush që kishte ndryshuar shumë gjatë kohës që e njihnin njëra-tjetrën.
“Kam dëshmuar transformimin e Melania gjatë ngritjes së saj spektakolare dhe më pas atë në çfarë është katandisur tani që i ka mbetur vetëm guaska e florinjtë. Vras mendjen se çfarë ka qenë ajo ndonjëherë teksa thotë se unë paskam blerë një orë fallco në dyqanin e rrugës”.
Një zëdhënëse e zonjës Trump reagoi: “Libri është jo vetëm i mbushur me të pavërteta dhe paranojë, por dhe i bazuar në një nevojë të imagjinaur për hakmarrje … për fat të keq kjo është një grua e pasigurtë … nevoja e së cilës për t’u dëgjuar sfidon dhe logjikën”.
Mes të tjerave zonja Wolkoff shkruan se një nga frazat e prefeeruara të zonjës Trump është “nuk është prioriteti im t’i bëj të gjithë të kënaqur”. Ajo shkruan: “Si gjithmonë pragmatiste, ajo arsyeton se meqënëse nuk mund të kontrollojë mendimet e njerëzve, nuk i bëhet vonë fare se çfarë besojnë ata”.
Libri i dedikuar zonjës Trump, thotë se zonja e parë refuzoi për pesë muaj të vendosej në Shtëpinë e Bardhë derisa të rinovohej tualeti që ishte përdorur nga çifti Obama.
Top Channel