Francë, Charlie Hebdo ripublikon karikaturat e profetit Muhamed: Nuk do ta ulim kokën kurrë!

01/09/2020 14:28

Në vigjiljen e nisjes së procesit për atentatin e vitit 2015, Charlie Hebdo ka nxjerrë sërish në kopertinën e saj karikaturat që e kthyen të përjavshmen satirike franceze në shënjestër të terrorizmit islamik.

Sulmi i përpara 5 viteve bëri 12 viktima në redaksinë e saj. Por drejtori Riss deklaroi se “ nuk do ta ulim kurrë kokën, dhe nuk do të heqim dorë kurrë”. Për stafin e Charlie Hebdo, ribotimi i atyre vizatimeve, ishte “ i domosdoshëm”. “ Pas janarit 2015, na është kërkuar shpesh të krijojmë disa karikatura të Muhametit. Gjithmonë kemi refuzuar, jo sepse kjo është e ndaluar, sepse ligji na e jep të drejtën, por sepse na nevojitej një arsye e mirë për ta bërë, një motiv që të kishte një kuptim e të conte drejt debatit”, shkruhet në numrin e ri të redaksisë.

14 persona do të ulen në bankën e të akuzuarve, për t`u përballur me akuza që nisin nga mbështetja logjistike për vëllezërit Said e Cherif Kouachi, si dhe për Amédy Coulibaly, tre autorët e sulmeve që terrorizuan Francën. I gjithë procesi do të filmohet për shkak të “interesit të lartë për rëndësinë historike të arkivimit të tij”. 7 janarin e vitit 2015, vëllezërit Kouachi sulmuan redaksinë në kohën që aty po zhvillohej mbledhja e saj duke vrare mes të tjerësh edhe dy karikaturistët historikë, Cabu e Wolinski.

Arsyeja ishte pikërisht publikimi i vizatimeve satirizuese të profetit. Ata arritën të largohen, ndërsa ditën tjetër Coulibaly vrau një police në Montrouge, në periferi të Parisit e më pas I mori jetën edhe 4 hebrenjve gjatë një pengmarrje në një supermarket. Ai u ekzekutua gjatë operacionit të forcave të antiterrorist, ndërsa Said e Cherif Kouachi ishin vrarë nga policia pak përpara tij.

Top Channel