Realizohet fluturimi i parë Izrael-Emirate të Bashkuara Arabe

31/08/2020 13:53

Aeroplani i parë komercial i drejtpërdrejtë, midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) është nisur nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit, gati tre javë pasi të dyja vendet njoftuan një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve.

Aeroplani që është në operim të El Al Israel Airlines po bën udhëtimin tre-orësh në Abu Dabi më 31 gusht. Në bord gjendet një delegacion i zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë, përfshirë Jared Kushner këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Meir Ben-Shabbat.

Në Abu Dabi, zyrtarët do të takohen me përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe për të zhvilluar diskutime për fushat e bashkëpunimit midis Izraelit dhe Emiratave të Bashkuara Arabe.

“Derisa ky është një fluturim historik, shpresojmë se do të fillojë një udhëtim edhe më historik në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha Kushner, i cili drejtoi bisedime sekrete të cilat rezultuan në marrëveshjen mes Izraelit dhe Emiratave.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përshëndeti realizimin e fluturimit si një shembull “të paqes”.

Në aeroplan janë vendosur mbishkrime për paqe në arabisht, hebraisht dhe anglisht mbi dritaren anësore të pilotit.

Fluturimi po kalon hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, e cila në kushte normale është e bllokuar për trafikun ajror të Izraelit.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan më 13 gusht se ata po vendosnin marrëdhënie të plota diplomatike përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila përfshinte një zotim izraelit për të pezulluar planet e aneksimit për pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar.

Masa u përshëndet nga disa shtete të Gjirit, por u kundërshtua nga Irani, Turqia dhe palestinezët, shkruan Rel. Këtë fundjavë, Emiratet e Bashkuara Arabe shfuqizuan një ligj për bojkotimin e Izraelit i cili ishte në fuqi që nga viti 1972, dhe në fillim të këtij muaji të dyja vendet hapën shërbime të drejtpërdrejta telefonike për herë të parë.

Top Channel