Nëntë persona kanë ndërruar jetë si pasojë e coronavirusit në Kosovë, duke e quar numrin e përgjithshëm në 525.

Derisa numri i të shëruarve si dhe rasteve të reja po vazhdon të jetë thuajse i njëjtë për disa ditë me radhë, duke e mbajtur konstanten e personave aktiv me Covid 19 mbi 3 mijë.

Rezultatet e 24 orëve të fundit, nga 452 mostrat e mara në terren nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe laboratorët privat, tregojnë se 122 persona janë shëruar derisa 120 persona të tjerë janë infektuar me virus.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKUK-së, Valbon Krasniqi tregon se gjendja e pacientëve të shtrirë vazhdon të mbetet e rënduar.

“Edhe pse javët e fundit vërehet një trend i lehtë i numrave që kërkojnë trajtim në spitale, ende kemi numër të rënduar. Ende kemi mbi 40 pacientë në respiratorë. Është mundësia e fundit e pacientëve për t’u ndihmuar dhe stafi po bëjnë të pamundurën tu vijnë në ndihmë”.

Megjithëkëtë për t’ju kthyer shërbimeve ndaj pacientëve të tjerë, Krasniqi ka treguar se të infektuarit do të trajtohen vetëm në dy klinika.

“Kemi vendosur që sot gradualisht të lirojmë Klinikën e Neurologjisë, nga data 21 në repartin e operativës së gjinekologjisë nuk ka pacientë me COVID. Sot pacientët që janë në Neurologjisë do t’i bartim në Klinikën e Pulmologjisë dhe Infektives, që të provojmë t’i kemi pacientët vetëm në këto dy klinika dhe t’i kthejmë shërbimet për pacientët e tjerë”, ka thënë Krasniqi.

Përveç në QKUK, pacientet me coronavirus janë duke marrw trajtim edhe në gjashtë spitalet rajonale.

Alberta Hashani

Top Channel