Bashkëpunëtorja e Navalnyt: Kremlini i përfshirë në helmimin e tij

30/08/2020 04:18

Një aleate e ngushtë e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny thotë se autoritetet në Moskë nuk duan të hetojnë rreth dyshimeve mbi helmimin e tij, pasi pas këtij akti qëndron Kremlini, pavarësisht kundërshtive.

Lyubov Sobol një avokate në Fondacionin Anti-Korrupsion të zotit Navalny dhe një aktiviste e shquar e opozitës, tha në një intervistë se të gjitha provat ekzistuese të çojnë tek Kremlini. “Për mua është absolutisht e qartë dhe nuk kam frikë ta them me zë të lartë këtë gjë se pas helmimit qëndron pikërisht Kremlini”, tha zonja Sobol. “Askush tjetër nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Helmi neuroparalitik është diçka që nuk mund të blihet në farmaci, është një substancë luftarake. Dhe për shkak të kësaj, ata nuk do ta hetojnë çështjen”, tha ajo.

Bashkëpunëtorët e zotit Navalny i bënë një kërkesë Komisionit Hetues të Rusisë që autoritetet të nisin një hetim penal që mund të çojë në ngritjen e akuzave për vrasje të mbetur në tentativë ndaj një figure publike, por ata thonë se nuk morën asnjë përgjigje. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë tha të enjten se hetimi i nisur javën e kaluar nuk gjeti ndonjë të dhënë për ndonjë “vepër penale të qëllimshme të kryer kundër” zotit Navalny. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha javën e kaluar se nuk ka baza për një hetim penal, përpara se të përcaktohej plotësisht gjendja shëndetësore e politikanit.

Alexei Navalny, një kritik i njohur i Presidentit rus Vladimir Putin dhe që ka hetuar rreth korrupsionit në vend, u sëmur ndërsa po fluturonte nga Siberia drejt Moskës. Kjo gjë shkaktuar një ulje urgjente të avionit në Omsk të Siberisë. Mjeku dhe ndihmësja e tij personal thanë se zoti Navalny kishte pirë çaj të zi në një kafene të aeroportit, për të cilën ajo beson se ishte i helmuar. Fundjavën e kaluar zoti Navalny u transferua në Spitalin Charité të Gjermanisë për një “diagnozë të gjerë mjekësore”.

Top Channel