Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka vizituar sot shoqatën “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të të pagjeturve.
Ai me këtë rast ka kërkuar një fokusim më të madh për zgjidhjen e kësaj çështjeje të dhimbshme për familjarët që as 21 vjet pas përfundimit të luftës nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.
“Zhdukja me forcë e njerëzve është përdorur përgjatë viteve nëpër krejt botën (në luftëra e përtej tyre) si strategji që shkakton terror në shoqëri. Ndjenja e pasigurisë që rrjedh nga kjo praktikë nuk prek vetëm të afërmit e të zhdukurve, por gjithashtu ndikon në komunitetin dhe shoqërinë në tërësi”, ka thënë Kurti.
Për më tepër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar se asnjë qeveri e pasluftës nuk kishte prioritet zgjidhjen e problemit të pagjeturve dhe se përpjekjet e shtetit të Kosovës për të zbardhur fatin e tyre kanë qenë ose të gabuara ose të mangëta, andaj të pasuksesshme.
“Me qeverinë e mirë në pranverën 2020 e kemi pasur prioritet çështjen e të zhdukurve dhe familjarëve të tyre, por planin tonë nuk arritëm ta çonim deri në fund. Atë do ta vazhdojmë me rikthimin tonë. Fokusi tani duhet vendosur te familjarët e të zhdukurve. Kosova duhet të bëjë të pamundurën për të zbuluar fatin e 1641 të zhdukurve, por krahas kësaj, Kosova duhet të kujdeset për familjarët që bartin përditë dhimbjen e këtyre krimeve. Këta familjarë kanë nevojë për kujdes, përkrahje e mbi të gjitha për njohje të dëmit të vijueshëm që u është shkaktuar e po u shkaktohet ndër vite”, është shprehur Kurti.
Ai ka folur edhe rreth takimit të paralajmëruar në Uashington ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.
“Sot në Ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, gjendemi pesë ditë para takimit që do të mbahet në Uashington. Ky takim na kujton një prej bisedave që kemi pasur me nënat heroina në Gjakovë. Njëra na pati thënë: “Nëse shikon në sytë e nënave, ato nuk derdhin më lot. Derdhin gjak. Serbët duhet njëherë ta na kërkojnë falje, të na i kthejnë trupat e të dashurve tanë, e mandej ne mundemi të ndalemi dhe të mendojmë, a t’i falim apo jo?” Si asnjëherë më parë, le të ndalemi sot e të mendojmë sa pak kemi bërë për këtë kategori të luftës, e sa shumë që u kemi borxh atyre”, ka thënë Kurti.
Top Channel