Vala e dytë e Covid-19, ja cilat janë vendet më të prekura në Evropë

29/08/2020 01:56

Vendet në të gjithë Evropën po shohin një rikthim të koronavirusit pasi me sukses vunë nën kontroll shpërthimet më herët këtë vit. Por sa i fortë është kthyer virusi dhe a krahasohet me numrat e infektimeve të para në pranverë.

Sipas Euronews, vendet në Evropën juglindore, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Bullgarinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën e Rumaninë, kanë regjistruar gjatë gushtit shifra më të larta se në pjesën tjetër të vitit.

Serbia është e vetmja që bën përjashtim, me shifra thuajse të ngjashme tani me ato të mesit të prillit. Kroacia, Greqia dhe Malta, duket se po përjetojnë një rritje të rasteve me numra akoma më të lartë këtë javë të shkuar krahasuar me valën e parë. Belgjika, Italia dhe Britania e Madhe, mes vendeve më të goditura në Evropë, po shohin një rikthim, por deri tani, nuk i afrohen shifrave të marsit dhe prillit.

Sidoqoftë, një ditë më parë, Italia regjistroi 1411 raste të reja, shifra më e lartë kjo që nga fillimi i majit. Në anën tjetër, Franca, Polonia, Holanda dhe Spanja, duket se po përballen me valën e dytë, aspak të dëshiruar, dhe kanë filluar të marrin masa për të kthyer drejtimin. Franca raportoi 6111 raste të reja një ditë më parë dhe hera e fundit që numri i infektimeve kishte kaluar mbi 5 mijë ishte 14 prilli.

Top Channel