SHBA/ Komisioni i Kongresit reagon pasi sekretari Pompeo refuzon të dorëzojë dokumentat

29/08/2020 03:21

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë njoftoi se ka filluar një proces për ta mbajtur Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo përgjegjës për fyerje të komisionit, duke përmendur si argument refuzimin e tij për të përmbushur një kërkesë për informacione lidhur me “keqpërdorimin e hapur politik” të burimeve të departamentit.

Kreu demokrat i komisionit, Eliot Engel, përmendi gjithashtu edhe fjalimin e zotit Pompeo nga Jeruzalemi në Kuvendin Kombëtar Republikan dhe tha se “ai ka shfaqur shpërfillje alarmuese për ligjet dhe rregullat për sjelljen e tij dhe për instrumentat që ofron kushtetuta për të parandaluar korrupsionin qeveritar”.

Muajin e kaluar komisioni i dërgoi një kërkesë zotit Pompeo për dokumentat që ai u kishte dhënë republikanëve që po hetonin mbi kandidatin demokrat për president, Joe Biden. Një komision i Senatit i drejtuar nga republikanët, ka mbledhur informacione lidhur me të birin e ish-nënpresidentit, Hunter Biden.

Hunter Biden është ish-anëtar i bordit të kompanisë ukrainase të energjisë, “Burisma”. Kompania u vu në qendër të vëmendjes vitin e kaluar, gjatë hetimit për procesin e shkarkimit që kishte si qëllim të gjente nëse zoti Trump ushtroi presion të papërshtatshëm ndaj qeverisë së Kievit që të hapte një çështje që do të implikonte rivalin e tij në zgjedhje.

“I dhashë zotit Pompeo mundësi të mjaftueshme që të plotësonte kërkesën time për dokumenta, që fillimisht e bëra para tre muajsh. Këto dokumenta i ishin dorëzuar ndërkohë senatit dhe refuzimi i tij për t’ia dhënë Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, më bëri të lëshoja një kërkesë të detyrueshme”, tha zoti Engel në një deklaratë./VOA

Top Channel