Tani në Prishtinë do të jetë edhe busti i mikut të madh të Kosovës, senatorit Bob Dole.

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka njoftuar se busti i Dole do të zbulohet nesër, me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Dole.

Ceremonia e zbulimit të bustit do të mbahet në ora 13:30 në rrugën Bob Dole në lagjen Dardania në Prishtinë, ndërsa të pranishmëve dhe medieve do t’u drejtohen Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Ambasadori i SHBA në Kosovë Philip Kosnett dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka.

Po ashtu, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla do të bëjë zbulimin e pllakës përkujtimore për nder të këtij përvjetori në sheshin Nënë Tereza para Grand Hotel Prishtina, në ora 11:00.

Ndërsa, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të hapë ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan më 29 gusht të vitit 1990. Hapja e ekspozitës do të bëhet në ora 11:10 para Grand Hotel Prishtina.

Top Channel