Athina zyrtare ka mbetur e kënaqur pas vendimeve të marra në samitin e ministrave të Jashtëm në Berlin sa i përket përshkallëzimit të tensioneve greko-turke javët e fundit në Mesdheun Lindor, duke përsëritur edhe njëherë se vija e kuqe e qeverisë greke në këtë konflikt mbetet mbrojtja e sovranitetit të vendit.

“Gjithmonë mbështetemi tek solidariteti europian. Kjo është një prej vlerave të komunitetit të shteteve të BE”- tha Dhendias.

Këshilli i kryediplomatëve europianë duke mbështetur Greqinë dhe Qipron në krizën me Turqinë ka hartuar një katalog me sanksione të përcaktuara hollësisht ndaj Ankarasë, të cilat do të miratohen në samitin e lartë të BE-së në 24-25 shtator. Por njëkohësisht ka ripërsëritur nevojën e dialogut. “Ne jemi të qartë dhe të vendosur në mbrojtjen e interesave të BE dhe solidaritetit me Greqinë dhe Qipron. Turqia duhet të abstenojë nga veprimet e njëanshme. Ky është një element themelor për të lejuar përparimin e dialogut”- thotë Borrell.

Lista e sanskioneve që shefi i diplomacisë europiane ju paraqiti kolegëve të tij përfshin:

1. Masa kufizuese në rast se vazhdojnë kërkimet dhe shpimet e paligjshme të Turqisë në Mesdheun Lindor.

2. Regjistrimin e anijeve të përfshira në keto aktivitete të paligjshme .

3. Sanksionet sektoriale në sektore të ndryshëm të ekonomisë.

4. Ndalimin e kredive për bankat turke nga bankat shtetërore të BE-së

5. Mundësinë e zvogëlimit të fondeve evropiane për Turqinë.

6. Mundësinë e ndalimit të udhëtimit për persona të veçantë

Kemi detyrim të mbështesim grekët ka deklaruar edhe kancelarja Merkel.

“Mendoj se ne të gjithë si shtete anëtare të BE-së kemi për detyrë të marrim seriozisht të drejtat dhe problemet që miqtë tanë grekë po na i tregojne dhe t’i mbështesim atje ku ata kanë të drejtë. Sidoqoftë, unë gjithmonë kam bërë përpjekje që të mos ketë një përshkallëzim tjetër dhe pjesërisht kjo është e mundur vetëm duke biseduar me të dy palët”- tha Merkel.

Edhe presidenti francez Makron në një deklaratë të tij ka kritikuar Turqinë për veprimet e saj, ndërsa edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndërhyrë për kthimin në xhami të një manastiri ortodoks në Stamboll nga presidenti Erdogan.

Edhe presidentja greke e ka quajtur këtë veprim të fundit të Ankarasë një akt të diktuar nga arroganca politike, pasiguria kulturore, intoleranca fetare, qe dënon një thesar të artit të krishterë dhe fisnikëri kulturore me zhdukje të plotë .

Top Channel