Një gjykatë gjermane i ka dhënë dritën e gjelbërt mbajtjes së protestave të planifikuara për të shtunën në Berlin kundër masave ndaj pandemisë së koronavirusit.
Tremijë pjesëtarë të policisë janë vendosur në Berlin për të kontrolluar turmën që pritet të arrijë në 20,000 persona. Aktivistët përmes rrjeteve sociale u kanë bërë thirrje ndjekësve në mbarë Evropën që t’i bashkangjiten protestës.
Aktivistët, të zemëruar nga vendimi i mëparshëm për të ndaluar protestat pasi demonstruesit në një tubim të fundit nuk arritën të mbajnë maska dhe distancën mes tyre, mbushën qytetin me mijëra aplikime për protesta të reja këtë fundjavë.
“Tubimet e planifikuara kundër politikave kufizuese ndaj pandemisë, mund të mbahen”, ka vendosur gjykata.
Ky vendim u kundërshtua nga ministri i Brendshëm gjerman, Andreas Geisel, i cili ka ngritur shqetësimin për përhapje të virusit.
Deri më tash, Gjermania ka menaxhuar pandeminë më së miri nga të gjitha shtetet evropiane, me anë të testimeve rigoroze.
Por, javët e fundit kanë shënuar rritje të rasteve të reja, sikur në shumë vende në botë.
Të premten, kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave.
“Kjo është çështje serioze dhe ju duhet ta merrni me seriozitetin më të madh”, tha Merkel, shkruan Rel.
Protestuesit u mblodhën në qendër të Berlinit të shtunën para fillimit të protestave, duke mbajtur mbishkrimet “Mjaft me gënjeshtrat për koronavirusin” dhe “Merkel duhet të shkojë”.
Top Channel