Zgjerimi i Greqisë në Jon, Rama: Deklarata e Mitsotakis nuk ka lidhje me ne, Meta të mos bëjë ‘rafting’ me Kushtetutën

28/08/2020 13:31

Në një prononcim nga Viena, kryeministri Edi Rama edhe një herë u është përgjigjur zërave kundër për zgjerimin me 12 milje në det të Greqisë.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veli e ka pyetur kryeministrin Rama lidhur me një hartë që është shpërndarë nga mediat greke për sa i përket kufirit detar me Shqipërinë, ndërsa Rama ka thënë se zërat se Greqia merr ujërat e Shqipërisë janë spekulime.

Ram më tej i është përgjigjur edhe Presidentit, Ilir Meta i cili tha se do të mbrojë kushtetueshmërinë, duke thënë se kjo nuk ka lidhje me Kushtetutën, pasi Greqisë zgjerimin në det ia mundëson konventa ndërkombëtare.

Rama ka thënë se Meta duhet të rrijë i qetë dhe të mos bëjë ‘rafting’ me Kushtetutën.

“Nuk jam në dijeni për këtë, por edhe një herë. Deklarata e Mitsotakis për zgjerimin e ujërave territoriale nuk ka lidhje me ujërat tanë territorial. Nuk ka lidhje me marrëveshjen që po punojmë dhe nuk e kemi arritur ende me palën greke. Nuk ka lidhje me ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme për të nxitur një shqetësim në mënyrë artificiale. Sepse shtrirja në 6 milje plus në ujërat territoriale është një e drejtë e çdo vendi.  Ne jemi shtrirë ndërkohë më 6 milje qysh në vitin 1990. E kemi depozituar në OKB dhe Greqia nuk e ka kontestuar. Ata po shtrihen në ujërat e ndërmjetëm siç ka rrugë të ndërmjetme midis vendbanimeve. Ka edhe rrugë të përbashkëta në det dhe marrja nga kjo rrugë e përbashkët në mënyrë simetrike të përcaktuar nga konventa është e drejtë e çdo shteti. Nuk ka lidhje me atë që bëhet mes Turqisë dhe Greqisë. Ajo është një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territorial. Një mosmarrëveshje ne jemi duke e trajtuar dhe ne nuk kemi akoma dakortësinë. Dhe harta të tilla për copëtim. janë spekulime. Një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. Nuk bëhet dot. Nuk është konspiracion që se merr vesh njeri. Marrëveshja kalon në etapa institucionale. Nuk është diçka që bëhet mçeftas. Ne jemi në negociata, qëndrimi jonë është i qartë dhe me frymë konstruktive.” tha Rama.

“Për presidentin ne e dimë. Por ajo që unë di është se Presidenti duhet të informohet mirë dhe të bëjë atë që duhet të bëjë dhe t’mos ngatërrojë kushtetutën e Shqipërisë me konventën e detit. Se nuk ka lidhje me Shqipërinë. T’mos e hedhi fjalën që  gjoja po mbrojmë kushtetutën. Nuk ka lidhje Presidenti fare se nuk hyn e drejta kushtetuese Shqiptare në Konventën ndërkombëtare. Është si kanionet e Skraparit që ka shkëmbinj në dy anët dhe në mes ka ujë. Dhe kanë të drejtë të marrin në mënyrë të barabartë ujë. Presidenti duhet të jetë shumë i qetë dhe nuk është koha për të bërë rafting.” tha Ram më tej.

Top Channel