Uragani Laura, më i fuqishmi që ka goditur SHBA-në këtë vit, është zhvendosur nëpër Luiziana duke udhëtuar më në veri, pasi kërcënoi me një stuhi të papërballueshme bregun.
Stuhia u përplas mbi Luizianën perëndimore gjatë natës me erëra që kapnin shpejtësinë e 240 kilometrave në orë që kanë shkaktuar dëme katastrofike. U deshën 11 orë nga prekja e tokës prej tij që të fillonte zbutjen.
Pemët u shkulën me rrënjë dhe energjia elektrike u ndërpre, madje edhe në Arkansas, më në veri, ku bishti i stuhisë preku.
Sidoqoftë, frika nuk ka kaluar pasi dëme të tjera janë të mundshme në një kohë kur paralajmërime për tornado janë lëshuar në Misisipi dhe Arkansas.
Është rritur ndërkohë shqetësimi për njerëzit që kanë mbetur në trajektoren e stuhisë në Luiziana, që nuk u evakuuan. Vetëm në këtë shtet u raportuan të paktën gjashtë viktima si pasojë e stuhisë të enjten në mbrëmje, përfshirë një 14-vjeçare në Vernon Parish që vdiq pasi një pemë ra mbi shtëpinë e saj.
Laura preku tokën si uragan i kategorisë 4 të enjten në mëngjes duke shkaktuar dëme të mëdha e duke lënë më shumë se 875 mijë njerëz pa energji elektrike. Autoritetet kishin urdhëruar banorët e rrezikuar të largohen, por jo të gjithë e bënë këtë.
Top Channel