Ukraina pezullon përkohësisht marrëdhëniet me Bjellorusinë

28/08/2020 14:46

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba njoftoi se vendi i tij ka pezulluar përkohësisht marrëdhëniet me Bjellorusinë.

“Jemi duke e ndjekur procesin. Marrëdhëniet do të fillojnë kur do të bindemi se Ukraina nuk do të ketë humbje të reputacionit në aspektin politik dhe moral”, tha ai për kanalin 1+1.

Kuleba tha se janë pezulluar të gjitha kontaktet me palën bjelloruse duke shtuar se bisedimet rreth krizës Donbas që po zhvillohen në Minsk mund të transferohen në ndonjë vend tjetër. Protestat masive kundër rezultateve të zgjedhjeve kanë filluar që nga 9 gushti në gjithë Bjellorusinë me pretendimin për “mashtrim në zgjedhje”.

Sipas rezultateve zyrtare të vendit, Alexander Lukashenko, i cili ka qeverisur vendin për 26 vite, fitoi zgjedhjet e fundit me 80.1 për qind të votave. Rivalja e tij kryesore, Svetlana Tikhanovskaya grumbulloi 10.12 përqind të votave.

Bjellorusia kishte akuzuar vendet perëndimore, përfshirë fqinjët Ukrainën, Poloninë dhe Lituaninë për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit duke mbështetur protestat.

Top Channel