Superliga nis me Kukësi-Tirana/ Derbi i kryeqytetit, Partizani-Tirana do jetë në javën e 6-të

28/08/2020 15:45

Stadiumi Air Albania u bë sërish fokusi i tifozëve të futbollit shqiptar dhe pas ndeshjeve të skuadrave në kupat evropiane ishte shorti i sezonit të ri, ai që tërhoqi vëmendjen.

Kategoria Superiore për sezonin 2020-2021 stiloi javët që do të përplasin ekipet duke nisur nga 12 Shtatori, madje që në start rezervohen përplasje të forta.

Tirana kampione në fuqi do të nisë fushatën për mbrojtjen e titullit ndaj skuadrës nënkampione Kukësit, që tani me një trajner të ri dhe organikë të ndryshuar, do provojë të ulet në fronin që i shpëtoi këtë vit. Teuta do të presë Skënderbeun  ndërsa Bylis Lacin. Dy skuadrat e promovuara në elitë këtë sezon, Apolonia dhe Kastrioti do kenë respektivisht duele të vështira me Vllazninë dhe Partizanin.

Për të parë një derbi elektrizues si ai i kryeqytetit mes Demave të Kuq dhe Tiranës, do duhet të presim javën e gjashtë të Superiores. Në Formulën e FSHF-së parashikohen 4 faza në total, ndërsa qeveria e futbollit shqiptar pret që deri më 23 dhjetor kur të nisin edhe pushimet, të ketë konsumuar 17 javë, gjithmonë nëse pandemia nuk do rezervojë surpriza të hidhura në dimër.

Në 16 do të nisë edhe gjysma e dytë e kampionatit për të cilin këtë vit pretendentët janë të shumtë.

 

Top Channel