Nëse fiton Biden… Trump: Do shkatërrojë Amerikën!

28/08/2020 11:32

Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se sfidanti i tij demokrat, Joe Biden do të shkatërrojë ëndrrën amerikane nëse fiton zgjedhjet në nëntor.

Duke folur në natën e fundit të Konventës Republikane, presidenti e cilësoi kundërshtarin e tij si shkatërruesin e madhështisë amerikane. Ai tha se demokratët do të derdhnin anarkistët e dhunshëm nëpër qytetet amerikane.

Të enjten mbrëma, presidenti i kërkoi votuesve një tjetër mandat 4-vjeçar në zyrë, duke premtuar se do të dëbojë pandeminë e koronavirusit që ka rrënuar ekonominë amerikane dhe të zbusë zemërimin e ndezur nga vrasja e afro amerikanëve prej policisë. Trump e pranoi nominimin  e partisë së tij nga lëndina jugore e Shtëpisë së Bardhë.

“Këto zgjedhje do të vendosin nëse do ta shpëtojmë ëndrrën amerikane apo do të lejojmë një agjendë socialiste që do të shkatërronte vendin tonë. Vota juaj do të vendosë nëse ne do të mbrojmë amerikanët që i binden ligjit apo do ti japim dorë të lirë anarkistëve të dhunshëm, agjitatorëve dhe kriminelëve që kërcënojnë qytetarët tanë”.

Biden ka një udhëheqje të vazhdueshme në sondazhet e opinionit publik ndaj Trump, edhe pse jo shumë në distancë, me 68 ditë të mbetura deri sa votuesit të japin verdiktin e tyre. Fundi i Konventës Republikane sinjalizon tani një sprint 10-javor deri në ditën e zgjedhjeve dhe fushata e pritshme vlerësohet se do të jetë një nga më të shëmtuarat në kujtesë.

 

 

Top Channel