Kuvendi Republikan fokusohet në çështjen e ligjit dhe rendit

28/08/2020 02:54

Fushata për rizgjedhje e Presidentit amerikan Donald Trump e ka bërë “ligjin dhe rendin” temë qendrore të Kuvendit Kombëtar të Republikanëve këtë javë, duke përqendruar vëmendjen në incidentet e dhunës dhe vandalizmit që kanë shoqëruar protesta e gjera për drejtësi racore. Ndërsa mbështetësit e Presidentit Trump e shohin këtë si një kërcënim në rritje për sigurinë publike, kundërshtarët e tij thonë se ai po e politizon krizën.

Kuvendi Kombëtar i Republikanëve paraqiti një çift të pasur të bardhë të fotografuar jashtë shtëpisë së tyre në Seint Luis me armë të drejtuara nga protestuesit e lëvizjes “Black Lives Matter” që po marshonin në komunitetin e tyre të rrethuar me një gardh hekurash në qershor. “Asnjë person i vetëm nga turma që kishte dalë jashtë kontrollit para shtëpisë tonë nuk u akuzua për ndonjë krim. Por ju e dini që ndaj nesh u ngritën akuza. Ata na kanë akuzuar pse guxuam të mbrojmë shtëpinë tonë”, tha Mark McCloskey, mbështetës i Presidentit Trump.

Prokurorët e kanë akuzuar çiftin për përdorim të paligjshëm të armëve. Ngjarja nënvizoi pohimin e fushatës së Presidentit Trump se protestat për drejtësi racore po përhapen dhe janë një kërcënim në rritje për sigurinë publike. Këtë javë protesta të dhunshme shpërthyen në qytetin Kenosha të Uiskonsinit, pasi një oficer i bardhë policie qëlloi një afrikano-amerikan pranë fëmijëve të tij të dielën. Protestuesit plaçkitën dhe i vunë zjarrin bizneseve në qendër të qytetit. Të mërkurën herët, tre persona u qëlluan, dy prej tyre për vdekje.

Kandidati demokrat për president, Joe Biden ka bërë thirrje për reforma policore për t’i dhënë fund, sipas tij, racizmit sistematik. Ai gjithashtu ka denoncuar protestat e dhunshme dhe ka kundërshtuar përpjekjet për pezullimin e fondeve për policinë. Megjithatë, folësit në kuvendin republikan e kanë akuzuar zotin Biden dhe partinë e tij për anim nga radikalët e dhunshëm dhe kundër policisë për të siguruar mbështetjen e afrikano-amerikanëve. “Ata do të heqin fondet, shpërbëjnë dhe shkatërrojnë forcat amerikane të zbatimit të ligjit. Kur të keni probleme dhe keni nevojë për policinë, mos u mbështetni tek demokratët”, tha Kimberly Guilfoyle, zyrtare e Fushatës së Presidentit Trump.

Ligji dhe rendi ka qenë prej kohësh një temë në favor të republikanëve. Richard Nixon i fitoi zgjedhjet e vitit 1968 pjesërisht duke premtuar se do të mbronte sigurinë publike, ndërsa protestat racore dhe ato kundër luftës në Vietnam shpërthyen në të gjithë vendin. Megjithatë, liberalët dhe demokratët thonë se Presidenti Trump,nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë për tensionet aktuale. “Ai është në pushtet. Pra, nëse ka kaos tani, ai duhet të fajësohet për të. Ai nuk ka për ta zgjidhurproblemin”, tha Lanae Erickson, analiste politike e organizatës “Third Way”. Presidenti Trump gjithashtu është kritikuar për mënyrën e përdorimit të forcave të rendit.

Në qershor, forca federale ndërhynë për të shpërndarë me forcë protestuesit paqësor para Shtëpisë së Bardhë. Më vonë, Presidenti Trump doli nga Shtëpia e Bardhë dhe shkoi në anën tjetër të rrugës për të bërë një fotografi para një kishe me një bibël në dorë. Presidenti gjithashtu dislokoi forcat federale në qytete të tjera amerikane, ku policia është përleshur me protestuesit. Analisti Matt Grossmann thotë se theksi i Presidentit Trump tek ligji dhe rendi hedh hije mbi përpjekjet e tij për t’u afruar me afrikano-amerikanët përmesnismave ekonomike dhe reformës në drejtësinë penale.

“Pra, është vërtetë një ndryshim i madh tani rikthimi tek qëndrimii ashpër tradicional kundër krimit, dhe heqja dorë nga një qëndrim tjetër i rëndësishëm”, tha Matt Grossmann, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. Ndërsa demokratët thonë se theksimi i ligjit dhe rendit nga Presidentit Trump, është një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga dështimi i administratës së tij për të vënë nën kontroll pandeminë e koronavirusit, mbështetësit e tij argumentojnë se kjo pasqyron shqetësimin në rritje të publikut për trazirat racore në vend./VOA

Top Channel