Kolumbia rinis spërkatjen nga ajri në luftën kundër kokainës, megjithë kritikat e ambjentalistëve

28/08/2020 20:48

Kolumbia ka thënë se do të rinisë spërkatjen nga ajri me kimikate toksike në zonat e thella, për të ndaluar kultivimin e kokas, përbërësit kryesor të kokainës, megjithë kritikat për rrezikun mbi shëndetin dhe botën bimore.

Në spërkatje autoritetet përdorin glifozat, kimikati që OBSH e lidh me kancerin te njerëzit. Qeveria kolumbiane pretendon se operacioni mund të kryhet në mënyrë të sigurtë por kritikët thonë se është i rrezikshëm dhe inefektiv.

Monsanto, kompania amerikane që prodhon kimikatin në fjalë , rekomandon që përdoruesit të veshin pajisje mbrojtëse por masat neglizhohen në Kolumbi ku tokat shpeshherë spërkaten pa paralajmërim.

Në vitin 2015, presidenti i atëhershëm Juan Manuel Santos e ndaloi praktikën por pasuesi i tij Ivan Duque — me nxitjen e Presidentit të SHBA Donald Trump — po kërkon lejen për rinisjen e praktikës.

Qeveria e Duque thotë se zhdukja e prodhimit të kokas kufizon trafikun e kokainës dhe si rezultat dhunën e bandave të trafikut, me të cilat janë lidhur masakrat në gusht ku u vranë 36 njerëz, përfshi edhe fëmijë.

Aktualisht prodhimi i kokainës është në nivelet më të larta ndonjëherë në Kolumbi. Sipas shifrave të vitit 2017 Kolumbia zotëron 70% të kokainës së botës.
“Kokaina sjell të ardhurat kryesore të grupeve kriminale që kryen masakrat e fundit, prandaj ndalimi i spërkatjes nga ajri është një gabim”, tha ministri i mbrojtjes Carlos Holmes.

Jose David Hernandez, një fermer në Antioquia, i cili rriste koka në 2018, kujton efektet e spërkatjeve tymuese në vitet 2003 e 2004, duke thënë se herbicidi binte në fusha si një mjegull toksike që i shkaktonte fshatarëve gjakosje të lëkurës.

Hernandez thotë se edhe sot ka në këmbë e në krahë shenja nga kimikati dhe solucionet me të cilat banorët përpiqeshin ta pastronin.

Kritikët thonë gjithashtu se kimikati dëmton dhe jetën delikate bimore të zonës, që gëzon një nga diversitetet më të mëdha në botë.

Në 2008 Ekuadori paditi Kolumbinë dhe fitoi në lidhje me spërkatjet pranë kufijve të saj që po shkaktonin dëme mjedisore.

FOTO GALERI
1/3
Qeveria kolumbiane pretendon se operacioni mund të kryhet në mënyrë të sigurtë por kritikët thonë se është i rrezikshëm

Top Channel