Një kampist është sulmuar për vdekje nga një ari polar brenda tendës së tij, para se kafsha të vritej nga banorët në Norvegji.
Viktima që nuk është emëruar ende nga autoritetet po qëndronte në tendë në pranë qytetit Longyearbyen, kur u sulmua barbarisht rreth orës 04.00 të mëngjesit.
Zyra e guvernatorit lokal tha se burri u plagos rëndë dhe vdiq më pas në spital. Njerëz të tjerë në skenën e ngjarjes qëlluan më pas ndaj asaj që besohej se ishte e njëjta kafshë, e cila u gjet e vdekur nga plumbat disa kilometra më larg. Ngjarja u zhvillua në rajonin verior norvegjez të Svalbard, rreth 1000 km larg Polit të Veriut.
Guvernatori tha se gjashtë njerëz që tjerë që ishin në vendngjarje u dërguan në spital dhe se autoritetet po hetojnë incidentin.
“Ne nuk e dimë me siguri për cilin ari bëhet fjalë dhe as kombësinë e viktimës. Ishte një mënyrë shumë tragjike për të vdekur”.
Në Svalbard, i njohur gjithashtu me emrin Spitzberg, njerëzit këshillohen të mbajnë armë kur dalin jashtë zonave urbane. Arqipelagu ka rreth 1000 arinj polarë sipas statistikave të vitit 2015, dhe ata janë specie e rrezikuar që prej vitit 1973.
Deri tani pesë sulme fatale të arinjve polarë ndaj njerëzve janë regjistruar që prej vitit 1971.
Sulmi pararendës kishte ndodhur në 2011 kur një ari polar sulmoi një grup prej 14 njerëzish që vinin në ekskursion shkollor nga Britania. Në të u vra nxënësi 17 vjeçar Horatio Chapple kur ariu hyri në tendën e tij.
Katër të tjerë u plagosën para se kafsha të vritej.
Top Channel