Francë, koronavirusi/ 6111 raste të reja në 24 orë!

28/08/2020 11:46

Mbajtja e maskës në publik është bërë e detyrueshme në të gjithë Parisin dhe disa zona të tjera përreth në mesin e rritjes së rasteve të koronavirusit në Francë.

Lëvizja vjen një ditë pasi vendi regjistroi 6111 raste të reja, shifra më e lartë kjo që nga fillimi i majit. Numri i zonave të kuqe ku virusi është në qarkullim aktiv është rritur nga dy në 21.

Maskat do të jenë po ashtu të detyrueshme edhe për nxënësit e shkollave në Francë, mbi 11 vjeç. OBSH ka rekomanduar përdorimin e maskës në shkollë nga mosha 12 vjeç. Maskat ishin të detyrueshme që më herët në ambientet e mbyllura publike dhe do të jenë të detyrueshme edhe në vendin e punës nga 1 shtatori.  Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran ka premtuar se do të rriten testimet për Covid-19, për të arritur deri në 1 milion teste në javë, në shtator, me qëllim që ato të bëhen të disponueshme për këdo që ka nevojë për to.

Duke njoftuar masat e reja, kryeministri Jean Castex  tha se ai donte të evitonte një izolim tjetër të përgjithshëm.  Ai tha se koronavirusi po fitonte terren në Francë dhe se nëse qeveria nuk do të vepronte shpejt, rritja e infektimeve mund të bëhej e pakontrollueshme. Pavarësisht rritjes së ndjeshme në javët e fundit, numri i viktimave ka mbetur i ulët. Në total 30500 persona kanë humbur jetën dhe rreth 300 mijë të tjerë janë infektuar në Francë. Një numër vendesh evropiane po shohin po ashtu rritje të rasteve të reja.

Top Channel