Takimi i Milanoviç me Ramën/ Kroacia, hetim vizitës private

27/08/2020 20:59

Jehona e vizitës private të presidentit kroat Zoran Milanoviç në Shqipëri më shumë se dy javë më pare, nuk është fashitur ende në mediat vendase.

Sipas tyre, kreu i shtetit përdori një jaht 39 metra të marinës kroate, i quajtur “Učka” dhe një helikopter ushtarak për këtë ndalesë gjatë të cilës u takua me kryeministrin Edi Rama. Duket se ky udhëtim i Milanovicit ka përfunduar në tryezën e Komisionit të Konfliktit të interesit, I cili po heton për shkelje.

Nova Tv thotë se ka marrë nga ministria kroate e mbrojtjes konfirmimin që presidenti ka pasur në dispozicion nga data 11 deri ne 14 gusht, kohë kjo kur vizitoi Shqipërinë, një anije ushtarake dhe një helicopter. Kostoja totale e transportit llogaritet në më shumë se 100 mijë kuna apo rreth 13 mijë euro. Mësohet sakaq se presidenca kishte njoftuar mediat në 12 gusht se Milanovic po qëndronte privatisht në Shqipëri, me ftesë personale të Kryeministrit shqiptar, por më vonë, në një deklaratë drejtuar Komisionit për Konfliktin e Interesit, ajo u shpreh se vizita ishte “ pjesë e detyrave presidenciale ”.

Një përgjigje kjo që me sa duket nuk e ka kënaqur komisionin, i cili nga sa pohon shtypi vendas, do të kërkojë sqarime dhe dokumentacion shtesë nga Zyra e Presidentit në lidhje me qëndrimin e Milanoviç në Shqipëri.

“Nga njëra anë, pretendohet është vizitë private, nga ana tjetër, na është thënë në përgjigje se është zyrtare, pra këtu kemi një kontradiktë. Patjetër kemi nevojë për dokumente që do të mbështesin ato që thonë”, tha kryetarja e Komisionit Natasa Novakovic. Nëse vizita hyn tek detyrat presidenciale, atëherë kostoja e udhëtimit, pra transporti, mbulohet nga buxheti i shtetit.

Top Channel