Shkeli rregullat e karantinës/ Darkë me më shumë se 80 njerëz, jep dorëheqjen komisioneri i Tregtisë së BE-së

27/08/2020 11:48

Komisioneri për Tregti i Bashkimit Evropian, Phil Hogan dha dorëheqjen, pasi qeveria e Irlandës, vendi prej nga vjen, e akuzoi për shkelje të udhëzimeve për mbrojtje nga koronavirusi.

Hogan ka marrë pjesë në një darkë, në një fushë golfi, me më shumë se 80 njerëz, në qarkun Galluej të Irlandës, më 19 gusht. Ai po ashtu është kritikuar për mosrespektimin e rregullave të karantinës, pasi ka udhëtuar nga Brukseli në Irlandë.

Hogan tha se nuk ka shkelur ndonjë ligj, por shtoi se “do të duhej të ishte më rigoroz” në zbatimin e udhëzimeve për frenimin e koronavirusit. Në deklaratën e dorëheqjes, Hogan tha se i vjen keq që udhëtimi i tij në Irlandë “ka shkaktuar shqetësime të tilla”.

“Përsëris ndjesën time të përzemërt për popullin irlandez, për gabimet që kam bërë gjatë vizitës sime”, shtoi ai. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ishte mirënjohëse për “punën e palodhshme të Hoganit si komisioner i Tregtisë”.

Top Channel