SHBA/ Hetuesit: Gjetëm thikë në makinën e të plagosurit Jacob Blake

27/08/2020 03:32

Hetues të Departamentit të Drejtësisë të shtetit Uiskonsin kanë gjetur një thikë në anën e shoferit, në dyshemenë e makinës ku po futej Jacob Blake, kur u qëllua nga policia në Kenosha të Uiskonsinit tri ditë më parë, tha të mërkurën prokurori i përgjithshëm i shtetit, Josh Kaul.

Prokurori Kaul tha se Blake, 29-vjeçari afrikano-amerikan që u plagos dhe si rezultat u paralizua nga të shtënat e policëve, u kishte thënë hetuesve se kishte thikë në zotërim në momentin e incidentit. Policia kontrolloi makinën dhe nuk gjeti armë tjetër përveç thikës, tha Prokurori Kaul. Sipas disa hollësive mbi ngjarjet, zoti Kaul shpjegoi se policia ishte përballur me Jacob Blake kur ishte thirrur në banesën e një gruaje që i kishte telefonuar forcave të rendit pasi i dashuri kishte hyrë në banesë pa pëlqimin e saj.

Gjatë incidentit, tha zoti Kaul, policia u përpoq ta arrestonte zotin Blake, fillimisht duke përdorur një mjet shokues për ta ndalur, por pa sukses. Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Uiskonsinit, Jacob Blake më pas ishte afruar tek makina, kishte hapur derën e shoferit dhe ishte gati të futej në makinë kur polici Rusten Shesky, e kishte kapur nga këmisha dhe më pas e kishte qëlluar shtatë herë në shpinë. Sipas zotit Kaul, asnjë nga policët e tjerë në skenën e ngjarjes nuk kishte qëlluar mbi Jacob Blake.

Një adoleshent është arrestuar dhe akuzuar për vrajse pa paramendim të mërkurën lidhur me të shtënat që lanë dy të vrarë dhe një të plagosur gjatë protestave lidhur me incidentin ku u plagos Jacob Blake. Trazirat që tronditën këtë qytet me rreth 100 mijë banorë vazhdojnë që nga e diela kur 29-vjeçari Jacob Blake u qëllua disa herë në shpinë gjatë një konfrontimi me policinë. Dokumente publike nga faqja elektronike e gjykatës thonë se i dyshuari për incidentet vdekjeprurëse të së martës u arrestua në banesën e tij në Antiok të shtetit Ilinoi. Ngaqë është i mitur, policia tha se nuk do ta bëjë të ditur identitetin.

Presidenti Donald Trump postoi të mërkurën një koment në Twitter se “do të dërgojë forca federale dhe Gardën Kombëtare të Kenoshas për të rivendosur rendin dhe ligjin”. Në një video të ndarë në llogarinë e tij në Twitter, ish- nënpresidenti Joe Biden, kandidat demokrat për president tha se kishte folur me familjen e Jacob Blake dhe u kishte thënë se “drejtësia duhet dhe do të vihet në vend”. Në video ai thotë gjithashtu “Përsëri një afrikano-amerikan, Jacob Blake, u qëllua nga policia. Në sy të fëmijëve. Më revolton kjo gjë. Kështu duam të jemi si vend? Dhuna e panevojshme nuk do të na shërojë. Dhuna duhet të ndalë dhe së bashku, në paqe të bashkohemi për të kërkuar drejtësi”.

Video të marra me celularë nga dëshmitarët në zonë tregojnë një person që duket se ka një armë automatike në dorë, duke vrapuar në një rrugë kryesore, i ndjekur nga një grup njerëzish. Personi qëllon mbi ata që e ndjekin, deri kur ata e rrethojnë dhe e rrëzojnë përdhe. Grupe mediatike thanë se shkëmbimi i zjarrit ndodhi gjatë një konfrontimi mes protestuesve dhe disa kalimtarëve jo larg nga gjykata e qytetit. Më parë të martën protestuesit u përleshën me policinë për disa orë deri kur u sprapsën nga zona pasi policia filloi të përdorte gazin lotësjellës dhe plumbat e gomës.

Dy netët e protestave u shoqëruan me akte vandalizmi, vënien e qëllimtë të zjarreve në objekte e biznese, por nata e tretë u shoqërua me akte vdekjeprurëse. Protestat e dhunshme të së martës pasuan komentet e babait të Jacob Blake se i biri është paralizuar nga mesi e poshtë. Ai tha se mjekët nuk janë të sigurtë nëse mund të kurohet. Jacob Blake u qëllua nga policia kur po futej në makinë ku ndodheshin edhe tre fëmijët e tij të mitur. Policët e përfshirë në incident janë pezulluar me pagesë. Deri tani policia e Kenoshas nuk ka dhënë informata me zhvillimet para incidentit, duke thënë vetëm se ekipi policor ishte thirrur në atë zonë lidhur me një zënkë familjare.

Të mërkurën, ekipi profesionist i basketbollit Bucks, i vetmi ekip profesionist i Ligës NBA në shtetin Uiskonsin, nuk pranoi të dilte në fushë për të zhvilluar ndeshjen me ekipin Magic të Orlandos në shenjë proteste ndaj incidentit që ka rindezur lëvizjen kundër racizmit dhe dhunës policore që shpërtheu fillimisht në maj pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit. Liga Kombëtare e Basketbollit NBA më pas anuloi të gjitha ndeshjet e së mërkurës./VOA

Top Channel