Qeveria serbe iu bashkua bllokut europian duke refuzuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve Bjellorusi. Kryeministrja Ana Brnabiç ndërmori një hap befasues, duke thënë se Beogradi e mbështeti rezolutën e BE-së për Bjellorusinë, në mënyrë që të përafrojë politikat e tij me ato të unionit në të cilin dëshiron të anëtarësohet

Beogradi ka pasur marrëdhënie të ngushta me Presidentin e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko, i cili ishte lideri i vetëm botëror që vizitoi Serbinë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Krerët e BE-së thanë se qëndrojnë përkrah njerëzve që protestojnë për të drejta demokratike në Bjellorusi, duke hedhur poshtë rezultatet e zgjedhjeve, të cilat nxorën fitues Lukashenko.  Ata paralajmëruan se po përgatisin një listë të gjatës individësh bjellorusë që do të përballen me sanksione për manipulim votash dhe masa brutale ndaj protestuesve.

Pranimi nga Serbia i kritikave të BE-së ndaj udhëheqësit bjellorus u publikua fillimisht në Twitter  nga ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në Beograd, të cilët e përshëndetën këtë hap, i cili vjen në një kohë kur edhe vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç është përballur gjithashtu me kritika nga brenda dhe jashtë vendit për goditjen e lirisë së mediave, mbajtjen e zgjedhjeve që opozita nuk i quan të lira dhe të drejta si dhe masave kundër demonstruesve antiqeveritarë.

Top Channel