Rusia dhe SHBA-ja fajësojnë njëra-tjetrën/ Përplasen në Siri mjetet ushtarake ruse e amerikane

27/08/2020 14:25

Qeveritë e Rusisë dhe SHBA-së kanë fajësuar njëra-tjetrën për një përplasje mes mjeteve të armatosura ruse dhe amerikane në Sirinë verilindore, përplasje në të cilën disa trupa amerikane u lënduan.

Një video e përplasjes, u transmetua nga një rrjet nacionalist rus, dhe më pas është ripostuar shumë herë në Twitter.

Videoja duket se tregon një mjet të ushtrisë ruse në një shkretëtirë, që përplaset me një mjet të blinduar amerikan ndërkohë që një helikopter rus fluturon poshtë. Rusia thotë se SHBA-ja kishte penguar patrullimin.

Lajmi i incidentit u bë publik të mërkurën dhe ministria ruse e mbrojtjes tha se i kishte dhënë ushtrisë amerikane një paralajmërim paraprak se do të patrullonte në zonë.

“Pavarësisht kësaj, në shkelje me marrëveshjet ekzistuese, forcat amerikane u përpoqën të bllokonin patrullën ruse”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.

“Si reagim”, shtoi ajo “policia ushtarake ruse mori masat e nevojshme për të parandaluar që incidenti të minonte misionin”.

Ndërsa këshilli i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë tha se mjeti rus kishte goditur një mjet amerikan që i reziston minave duke shkaktuar lëndim të ekuipazhit.  SHBA ka rreth 500 trupa në zonë që ndihmojnë në sigurimin e saj ndaj kërcënimeve të xhihadistëve. Ushtria amerikane asiston aleancën e udhëhequr nga kurdët të forcave demokratike siriane.

Top Channel