Ambasadorët apo të ngarkuarit me punë të vendeve të QUINT-it – Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, së bashku me përfaqësues nga BE, KFOR, dhe OSBE, vizituan sot rajonin e Deçanit në kërkim të fakteve lidhur me kontestin pronësor.

Ata gjatë kësaj vizite u takuan ndaras me kryetarin e komunës Bashkim Ramosaj dhe Atin Sava Janjiq të Manastirit të Deçanit.

Vendet e QUINT-it me këtë rast u bëjnë thirrje palëve që në përpikëri t’i përmbahen ligjeve të Kosovës, në veçanti ligjit të vitit 2008 për Zonat e Mbrojtura Speciale, dhe të ngritin çdo shqetësim te mbetur brenda kornizave të Këshillit Monitorues për Implementim, para se të ndërmarrin ndonjë veprim.

Për më tepër, vendet e QUINT-it nxisin autoritetet e Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2016, lidhur me kontestin pronësor në Deçan dhe kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë ekspeditive të zgjidhë çështjen e punimeve rrugore.

Deklarata e plotë:

Të enjten, më 27 gusht 2020, ambasadorët apo të ngarkuarit me punë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me përfaqësues nga BE, KFOR, dhe OSBE, vizituan rajonin e Deçanit në kërkim të fakteve. Ata u takuan ndaras me kryetarin e komunës Bashkim Ramosaj dhe Atin Sava Janjic të Manastirit të Deçanit. U bëjmë thirrje palëve që në përpikëri t’i përmbahen ligjeve të Kosovës, në veçanti ligjit të vitit 2008 për Zonat e Mbrojtura Speciale, dhe të ngritin çdo shqetësim te mbetur brenda kornizave të Këshillit Monitorues për Implementim (KMI), para se të ndërmarrin ndonjë veprim. Për më tepër, i nxisim autoritetet e Kosovës që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 19 maj 2016, lidhur me kontestin pronësor në Deçan. Dhe në fund, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë ekspeditive të zgjidhë çështjen e punimeve rrugore në përputhje me këto që u përmendën më lart.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2016 ka vendosur në favor të Manastirit të Deçanit, duke konstatuar se ka pasur shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në dëm të Manastirit.

Kushtetuesja ka konstatuar se dy vendimet e Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë të pavlefshme.

Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar kundërkushtetues vendimin e Dhomës së Posaçme e Gjykatës Supreme që kishte vendosur se 26 hektarë tokë i takonin ndërmarrjeve shoqërore Apiko dhe Iliria.

Top Channel