Ashtu sikurse Lëvizja Vetëvendosje, edhe partia tjetër opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, ka refuzuar të jetë pjesë e delegacionit shtetëror për negociatat e 4 shtatorit në Washtington.

Në letrën e siguruar nga Top Channel, Kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli i është përgjigjur Kryeministrit, Avdullah Hoti duke thënë se PDK do të luaj rolin e saj kushtetues brenda Kuvendit, por jo pjesë e ekipit.

Veseli shkruan se PDK mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton njohje, integritet territorial dhe anëtarësim të vendit në OKB.

Ndërsa nga koalicioni qeverisës, pjesë do të marrë Ministri i Drejtësisë, njëherësh anëtari i AAK-së, Selim Selimi i cili gjatë së enjtes ka thënë se Kosova shkon e përgatitur në Washington.

Derisa nga Nisma Socialdemokrate, Top Channel merr vesh se do të jetë zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj Halimaj.

Top Channel ka provuar të marrë një përgjigje nga Shtëpia e Bardhë për zonën ekonomike që pritet t’u prezantohet shteteve, si dhe përfshirjen e opozitës kosovare në proces.

Por, zëdhënësi John Ullyot shkurt ka thënë se zhvillimi ekonomik i vendeve qon drejtë përparimit të procesit të paqes.

 “Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien ka ftuar liderët e Serbisë dhe Kosovës në Uashington në 4 shtator. Shtetet e Bashkuara shpresojnë në këto diskutime të rëndësishme me Presidentin Vucic dhe Kryeministrin Hoti. Ne besojmë se përparimi në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, është hapi i parë në përparimin e procesit të paqes. ”

E përfshirjen e opozitës, Shoqata Miqtë e Amerikës e vlerëson si tejet të rëndësishme, për lehtësimin e procesit.

Për dallim nga PDK-ja, LVV ka kërkuar që Kosova ta kundështoj njëzëri të dërguarin e posacëm për dialog, Richard Grenell.

Top Channel