Koronavirusi, “normalitet i ri”/ Puna nga shtëpia, kursim kohe dhe parash

27/08/2020 11:58

Gjithnjë e më shumë londinezë po punojnë nga shtëpia që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.

Për vetë punonjësit, sa më shumë kohë që nuk paraqiteshin në zyrë, aq më mire ishte. Ata thonë se kanë qenë më produktivë nga shtëpia dhe biznesi madje është rritur për shumë kompani, që tani kanë zgjedhur të heqin dorë nga zyrat.  Zyrat e firmës James Brincat,  që organizon trajnime për punonjës banke, gjendeshin në Londër me qira rreth 15,000 euro në muaj.

Por që nga fillimi i krizës, pronarët nuk paguajnë më qira duke kursyer mjaft para dhe në fund të muajit regjistrohen madje fitime. Kompania tani nuk ka asnjë zyrë dhe nëse punonjësit nuk do të ndryshojnë mendje, ky model pune nga shtëpia do të jetë i përhershëm. Punonjësit tani komunikojnë me shefat dhe kolegët çdo ditë, por jo më personalisht, por përmes video konferencave. Disa punonjës thonë se kursejnë rreth 550 euro në muaj pasi nuk blejnë më bileta për të shkuar në qendër të qytetit. Për më tepër, puna nga shtëpia, duket se ofron më shumë edhe për një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës private.

Që prej periudhës së karantinës në Londër po vihen re ndryshime radikale. Rreth 9 përqind e firmave londineze kanë hequr tani plotësisht dorë nga zyrat. E disa po flasin madje për një revolucion. Por ky ndryshim, në anën tjetër, nuk u pëlqen atyre që jetojnë prej pasurive të paluajtshme. Këto agjenci të fundit nuk ndjehen mirë për faktin se nuk kërkohen më zyra por një vend ku njerëzit mund të takohen, shkëmbejnë ide dhe të punojnë së bashku për diçka.

Top Channel