Irani u ofron inspektorëve ndërkombëtarë qasje në lokacionet bërthamore

27/08/2020 06:46

Irani ra dakord që t’iu ofrojë inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) qasje në dy lokacione të dyshuara bërthamore. Marrëveshja u arrit gjatë vizitës në Teheran të drejtorit të përgjithshëm të ANEB-it. Agjencia e ka kritikuar Iranin që nuk u është përgjigjur pyetjeve të saj në lidhje me materialin e mundshëm të padeklaruar bërthamor dhe aktivitetet e mundshme bërthamore në dy lokacione.

Mendohet se aktivitetet janë zhvulluar shumë kohë para vitit 2015, kur Irani ka nënshkuar një marrëveshje me fuqitë globale për kufizimin e programit të tij bërthamor. Irani këmbëngul se nuk ka bërë kurrë përpjekje për zhvillimin e armëve bërthamore, por provat e mbledhura më herët nga ANEB-i kanë sugjeruar se deri në vitin 2003, ai ka kryer “një sërë aktivitetesh për zhvillimin e një pajisjeje plasëse bërthamore”.

Drejtori i përgjithshëm i ANEB-it, Rafael Grossi, shkoi në Teheran të hënën për bisedime me kreun e Organizatës së Iranit për Energji Bërthamore, Ali Akbar Salehi. Të mërkurën, ata njoftuan se “kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen me mirëbesim të çështjeve të specifikuara nga ANEB-i”.

“Irani i siguron vullnetarisht ANEB-it qasje në dy lokacionet e përcaktuara nga ANEB dhe i lehtëson aktivitetet e verifikimit të kësaj agjencie”, thuhet në deklaratën e përbashkët./REL

Top Channel