Vetëm pas gati 24 orësh kanë bërë xhiron e mediave greke dhe atyre të huaja pamjet dramatike të një operacioni të madh kërkimi dhe shpëtimi emigrantësh nga roja bregdetare greke dhe trupat e marinës së saj detare. Prej mbrëmjes të së martës për më shumë se 15 ore, ata kanë arritur të shpëtojnë 96 persona nga një anije që po mbytej e cila ishte nisur nga brigjet turke drejt Greqisë.

Por operacioni i shpëtimit ka pasur edhe incidentet e tij pasi pranë anijes kanë shkuar me qëllim sfidimi në sovranitetin e Greqisë në këtë zonë detare edhe dy anije turke të Rojes bregdetare. Madje njëra prej anijeve turke siç duket dhe në pamjet e marinës detare greke dhe siç dëshmojnë mediat vendase që ju referohen deklaratave të grupeve të shpetimit, ka penguar procesin e shpëtimit të emigrantëve duke verbuar me rreze lazer helikopterin grek SuperPuma si dhe duke i zënë rrugën një prej anijeve greke të shpëtimit, ndërsa për fat nuk ka pasur një përplasje aksidentale të dy anijeve në det.

Prej 96 emigranteve të shpëtuar 10 kanë qenë fëmijë dhe 21 gra. 72 janë çuar në ishullin e Rodosit, 5 në Karpatho ndërsa të tjerët janë marrë nga anija e dytë e Rojës Bregdetare turke. Sipas zëdhënësit të Rojës Bregdetare greke, shumica e emigrantëve nuk mbanin jelekë shpëtimi. Emigrantët e shpëtuar qe janë transferuar sipas rregullave të posaçme në ndërtesa të veçanta ku do tu nënshtrohen edhe testeve për Covid-19.

Mësohet se emigrantët udhëtonin me një anije prej gatui 25 metra të gjatë e cila pësoi defekt nga erërat e fuqishme. Si pasojë e defektit anija ka rrezikuar të mbytej pranë ishullit Halkit, zona nga ku ka lëshuar sinjalin për ndihmë.

Operacioni i trupave greke ka vazhduar edhe gjatë mbrëmjes të së mërkurës pasi thuhet se në anijen e rrezikuar ndodheshin më shumë se 100 emigrantë.

Top Channel