E reja tregon detajet e abuzimit të partnerit që e detyroi të bënte 9 tatuazhe me emrin e tij

27/08/2020 18:15

Një nënë e re e guximshme ka treguar së fundmi detajet e vrazhda të marrëdhënies abuzive në të cilën ish-i dashuri e detyroi të bënte nëntë tatuazhe me emrin e tij.

Në një prej tatuazheve shkruhej ‘Prona e AJ Wharton’.

31 vjeçari Aaron James Wharton, nënshtroi 32-vjeçaren Nicola Frost në një fushatë të tmerrshme dhune shtëpiake gjatë një periudhe gjashtë-vjeçare.

Në një prej sulmeve Nicola pësoi shenja të rënda dhune pas grushteve, shkelmave dhe tentativave të mbytjes, teksa Wharton e kërcënonte me thikë në fytyrë.
Gangsteri kontrollonte çdo element të jetës së të dashurës së tij, duke përfshirë dhe marrje lejeje për të shkuar në dyqane.

Ai e detyroi të bënte disa tatuazhe me emrin e tij në mënyrë që “askush tjetër mos e prekte” sepse ajo ishte “prona e tij”.

Tashmë Nicola ka folur hapur për tmerrin e saj pas dënimit të Wharton me 21 muaj burg nga gjykata e Northampton në Britani.

Dhunuesi u shpall fajtor për lëndime trupore për sulmin e mëngjesit të 2 shkurtit 2019.

Ai mori gjithashtu një urdhër 10-vjeçar për të mos kontaktuar me ish-partneren.

Nëna e pesë fëmijëve Nicola tha: “Viti i parë mes nesh ishte i përkryer. Ai më trajtonte si princeshë, por pesë vitet e ardhshme ishin një ferr mbi tokë.”

Wharton ndalonte Nicola të takonte miqtë e familjarët dhe nëse ajo i telefononte ai kërcënonte se do t’i thyente telefonin.

“Ai kontrollonte gjithçka, ku shkoja dhe me kë flisja. Më merrte kartën e bankës”.

“Por problemi im ishte se mendoja se nuk kisha asnjë mbështetje, sepse ai më bënte të besoja se kisha vetëm atë. Më detyronte të bëja në trup tatuazhe me emrin e tij. Në një prej tyre mbi vithe shkruhej ‘Pronë e AJ Wharton’”

Nicola më në fund gjeti kurajon të ndahej nga Wharton, me të cilin ka dy nga fëmijët e saj.

“Ai është një predator dhe shumë i zgjuar. Kërkoi të riktheheshim bashkë por unë nuk e besoja më”.

Por në shkurt 2019, Wharton ishte i tërbuar nga pija.

“I ra derës në ora 3 të mëngjesit, dukej i mërzitur prandaj e lashë të hynte brenda. Brenda pesë minutash më qëlloi me grusht. Më vuri thikën në fytyrë dhe më preu në faqe, ishte si i çmendur. Ishte i tërbuar që unë po vazhdoja jetën time, më thoshte se isha e tij.”

Wharton rrahu Nicola teksa fëmijët e tyre dhe të saj ulërinin në dhomën e sipërme.

“Ishte i pirë dhe sikur të mos e kishte zënë gjumi nuk do të isha këtu sot”, thotë Nicola ndërsa përçmon dënimin e dhënë nga gjykata duke thënë se “asnjë masë kohe” nuk kompenson abuzimin e tij.

“Ka shumë njerëz në marredhënie abuzive që nuk flasin. Unë që po flas tani dua të ndihmoj edhe të tjerë ta bëjnë”, thotë ajo.

FOTO GALERI
1/7
Nicola Frost ka treguar së fundmi detajet e vrazhda të marrëdhënies abuzive në të cilën ish-i dashuri e detyroi të bënte nëntë tatuazhe me emrin e tij

Top Channel