Drejtësia amerikane mund të hetojë vdekjet nga koronavirusi në azilet e pleqve

27/08/2020 03:53

Departamenti i Drejtësisë njoftoi të mërkurën se po shqyrtonte mundësinë për të hetuar katër shtete lidhur me rregullat që kërkojnë nga shtëpitë e pleqve që të pranojnë pacientë me koronavirus, duke thënë se rregulloret mund të kenë çuar në vdekjen e mijëra pacientëve të moshuar.

Të katër shtetet në fjalë – Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensilvania dhe Miçigani – drejtohen nga guvernatorë demokratë. Ligjvënësit republikanë dhe kritikë të tjerë, prej kohësh kanë pohuar se rregullat e vëna kanë shkaktuar një numër të lartë vdekjesh në mënyrë disproporcionale në institucionet e kujdesit afatgjatë në këto shtete. Në letra të veçanta për guvernatorët e të katër shteteve, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Eric Deriband ka kërkuar të dhëna të shumta, që nga numri i njerëzve që u pranuan në shtëpitë e të moshuarve, pasi ishin prekur me koronavirus, e deri tek numri i viktimave në këto institucione.

Më shumë se 40% e afro 180 mijë vdekjeve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara janë të lidhura me azilet e pleqve, sipas një analize nga gazeta New York Times. Në Nju Jork, guvernatori Andrew Cuomo u përball me kritika lidhur me një urdhër të lëshuar në muajin mars që kërkonte që shtëpitë e të moshuarve të pranonin pacientë të infektuar me koronavirus. “Asnjë banori nuk duhet t’i refuzohet ripranimi apo pranimi (në azilin e pleqve) vetëm bazuar në diagnoza të dyshuara apo konfirmuara me COVID-19”, thuhet në urdhrin e dhënë nga zoti Cuomo më 25 mars.

Nën presion, ai ndryshoi urdhërin në muajin maj, duke thënë se vetëm pacientët që kishin rezultuar negativë mund të dërgoheshin në shtëpitë e pleqve. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë tha se po shqyrton nëse do të hapë hetime sipas një ligji federal që mbikëqyr të drejtat civile të banorëve në azilet e pleqve. “Divizioni i të Drejtave Civile kërkon të përcaktojë nëse urdhërat e shteteve që kërkonin pranimin e pacientëve me COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve janë përgjegjës për vdekjet e banorëve në azilet e pleqve”, tha Departamenti i Drejtësi në një dekleratë./VOA

Top Channel