Marrëveshja ishte mbyllur prej kohësh, por sulmuesi spanjoll Pedro Rodriguez u prezantua zyrtarisht si futbollist i Romës vetëm pasditen e sotme, teksa pozoi edhe me fanellën zyrtare të kryeqytetasve italianë.
I ardhur nga Chelsea me parametra zero, pasi i kishte përfunduar kontrata me londinezët, Pedro bëhet afrimi i parë i “erës” Friedkin te Roma, pasi miliarderi amerikan bleu aksionet e klubit pak ditë më parë.
Futbollisti spanjoll kaloi me sukses të gjithë vizitat mjekësore dhe më pas u drejtua për te zyrat e klubit ku nënshkroi kontratën që do ta mbajë në Romë për 3 sezone dhe do të përfitojë një pagë prej 3 milionë eurosh në vit.
Pedro është rritur në akademinë e Barcelonës dhe spikati pikërisht në skuadrën katalane, para se të transferohej te Chelsea 5 sezone më parë, ku edhe me londinezët ia doli të fitojë trofe të rëndësishëm.
Me afrimin e 32-vjeçarit spanjoll Roma shton ndjeshëm cilësinë, por mbi të gjitha eksperiencën në repartin e avancuar, duke qenë se aktualisht ka shumë emra të rinj në organikë.
Top Channel